Dreshaj: Dukagjini pa autostradë dhe i neglizhuar nga Qeveria Kurti

Prishtinë | 14 Pri 2022 | 19:27 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, gjatë seancës së sotme shtroi pyetje ndaj kryeministrit Kurti rreth premtimeve të tij gjatë fushatës zgjedhore se që në vitin e parë të qeverisjes do të fillojnë punimet për zgjerim të rrugës nga Kijeva në drejtim të Pejës.

Duke iu përgjigjur pyetjes së Dreshajt, kreu qeveritar tha se zgjerimi i rrugës bëhet me gjysmën e çmimit të variantit që është anuluar.

“Shumë herët do të duhej të përfundonte rruga Prishtinë-Pejë pasi është i rëndësisë të veçantë. Ashtu si do të duhej të përfundonte rruga Prishtinë-Podujevë dhe ajo Prishtinë-Mitrovicë. Ne po e shqyrtojmë mundësinë të bëjmë zgjerimin e rrugës ekzistuese pasi mund të bëhet me gjysmën e çmimit me variantin që e kemi anuluar. Pas këtij shqyrtimi do të vendosim si do të vazhdohet më tutje”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti Dreshaj, përmes profilit të tij në Facebook ka thënë se mbi 600 mijë banorë të Kosovës, që jetojnë në rregjionin e Dukagjinit.

Ata sipas tij, vazhdojnë ta vuajnë padrejtësinë që i është bërë nga Qeveria Kurti me anulimin e projektit të “Autostradës së Dukagjinit”, të cilën e vlerësuan si të panevojshme.

“Dukagjini pa autostradë dhe i neglizhuar nga Qeveria Kurti. Mbi 600 mijë banorë të Kosovës, që jetojnë në rregjionin e Dukagjinit, vazhdojnë ta vuajnë padrejtësinë që i është bërë nga Qeveria Kurti me anulimin e projektit të “Autostradës së Dukagjinit”, të cilën e vlerësuan si të panevojshme”.

“Madje sot në Kuvend, Kryeministri e vërtetoi se Qeveria le që nuk e ka në plan realizimin e “Autostradës së Dukagjinit”, mirëpo as që të nisë projektin e zgjerimit të rrugës ekzistuese Kiev-Zahaq siç pati premtuar në fushatë”.

“Kjo është edhe një tallje dhe diskriminim ndaj kësaj pjese të Kosovës që i jep shumë vendit në aspektin ekonomik dhe në fusha tjera”, shkroi Dreshaj.

Të ngjashme