Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), po vazhdon të insistojë në miratimin e Ligjit të Pagave, për të cilën thonë se i njëjti u premtua të vinte më 15 mars, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i kësaj partie, Shemsedin Dreshaj në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se ligji i pagave është një problem shumë i madh për vendin.
Ai ka thënë se as deputetët e Kuvendit nuk kanë informacione se në cilën fazë është ky Projektligj.
Dreshaj shtoi se do ta mbështesin nismën për harmonizimin dhe rritjen e pagave.
“Ligji i pagave është një problem shumë i madh për vendin. Mendoj që janë pjekur të gjitha kushtet edhe ekonomike edhe sociale. Por edhe me situatën në treg që e kemi, pagat të mos jenë ato të cilat kanë qenë deri më sot. Njëherë u hartua një draft projekt i ligjit të pagave dhe ai draft projekt doli në opinion, pastaj për shkak të reagimit të masës u tërhoq. U krijua një komision tjetër dhe u premtua se me 15 mars do të jetë në debat publik. Ende ne si deputet të Kuvendit nuk kemi informatë se në cilën fazë është ky ligj. Ne do ta mbështesim nismën për harmonizimin dhe rritjen e pagave”, tha Dreshaj.