Gani Dreshaj nga radhët e AAK-së ka falënderuar qytetarët e Istogut, të cilët dolën për të zgjedhur të parin e komunës edhe për katër vjetët e ardhshme, ndërsa ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që fitorja t’i merret në tavolinë.
“Istogu votoi për të tretën herë për ndryshim. I falënderoj qytetarët e Istogut për këtë mundësi, ani pse për fajin e dikujt tjetër u desh të dilej në votime. U rikonfirmua fitorja ime përsëri dhe më nuk do të lejoj që të më merret fitorja në tavolinë. Tani pres rezultatet me postë dhe me kusht për të thelluar rezultatin e fitores”, ka shkruar Dreshaj.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e votave në komunën e Istogut, ku fitues në bazë të rezultateve preliminare ka dalë, Gani Dreshaj i AAK-së i cili ka marrë, 10 241 vota apo 50.1 për qind.
Ndërsa, Haki Rugova i LDK-së ka marrë 10 189, pra vetëm 52 vota më pak.
Por LDK-ja po thotë se në dy fshatra janë bërë gabime teknike gjatë administrimit të rezultateve nga KQZ-ja dhe se kandidati i tyre ka 55 vota më shumë.