Dreshaj: Qeveria ta respektojë vendimin e Kushtetueses, të larguarave nga puna në vitet 90-ta t’u njihet përvoja

Prishtinë | 10 Jan 2023 | 13:24 | Nga Lirigzona Nuredini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur konferencë për medie lidhur me padrejtësinë që po u bëhet pensionistëve kontributdhënës, me kriterin i cili parasheh që t’i kenë 15 vjet përvojë pune para luftës në Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, raporton Ekonomia Online.

Deputeti Shemsedin Dreshaj tha se është e pandershme që të punosh 14 vite e 11 muaj para vitit 1999, dhe të llogaritet sikurse nuk ke dhënë kontribut fare.

Ai ka kërkuar që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se Qeveria duhet që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e nenit 8 të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim.

Ai tha se kërkesa e Aleancës është që të largohet ky kushtëzim, për të cilin tha se është i dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët të cilët viteve 90-ta.

“Kemi ftuar këtë konferencë për të adresuar një çështje që si AAK ka kohë që e kemi ngritur dhe e kemi trajtuar edhe në Kuvendin e Kosovës. Bëhet fjalë për një padrejtësi që iu është bërë pensionistëve kontributdhënës tash e sa vite, me kriterin diskriminues i cili parasheh që pensionistët t’i kenë 15 vjet përvojë pune para luftës në Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Edhe pse kemi bërë përpjekje për vite me radhë që ta largojmë këtë padrejtësi ndaj pensionistëve, kjo nismë fatkeqësisht nuk është përkrahur nga kjo Qeveri”.

“Sot, gjendemi në një situate më të favorshme, pasi për këtë çështje tanimë kemi një vendim nga Gjykata Kushtetuese të cilin e përshëndesim. Kërkesën KO 190/19, të parashtruar nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së nenit 8, paragrafit 2, të Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti lidhur me nenin 5 dhe 6 të Udhëzimit Administrativ (MPMS) nr. 09/2015 për Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontribut pagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve”.

“Ky vendim i jep të drejtë nismës sonë për largimin e këtij kushti diskriminues dhe i hapë rrugë Kuvendit të Kosovës që ta përmirësojë këtë padrejtësi ndaj pensionistëve. Është e pandershme që të punosh 14 vite e 11 muaj para vitit 1999, dhe të llogaritet sikurse nuk ke dhënë kontribut fare. Kërkesë e jona është që të largohet ky kushtëzim jologjik, i dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët të cilët viteve 90-ta ishin larguar dhunshëm dhe jashtëligjshëm nga institucionet shtetërore të pushtetit të atëhershëm”.

“Njëkohësisht, kërkojmë që të respektohet periudha kohore maksimalisht prej 6 muaj  e shprehur në këtë vendim nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhënë Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e nenit 8 të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim”.

Të ngjashme