Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka mbajtur konferencë për media, ku numëroi dështimet e qeverisë Kurti në sistemin e shëndetësisë, raporton Ekonomia Online.
Dreshaj e ka quajtur Ministrinë e Shëndetësisë, ministri të eksperimenteve, ku si pasojë e kësaj gjendje kemi largim të profesionistëve dhe shumë dështime të tjera.
“Sot, shteti jonë po përballet me Qeverisje ad-hoc me veprime post-festum, pa strategji, pa prioritete dhe pa ofrim të perspektivës për vendin. Asnjë dikaster qeverisës për dy vite të Qeverisjes Kurti nuk mund të merret si mostër e suksesit. Ne sot, e kemi analizën dhe fokusin në sektorin vital të Shëndetësisë”, ka thënë ai.
Dreshaj dha disa argumente për gjendjen, siç e quajti, të rëndë në shëndetësi.
“Ministria e Shëndetësisë në Qeverisjen Kurti ka qenë Ministri e Eksperimenteve, ku për disa herë radhazi u ndërruan Ministrat, u ndërruan shefat e reparteve e madje kishte raste ku këto pozita mbetën boshë për muaj të tërë pa udhëheqës, duke bërë që të pësojnë qytetarët dhe shëndeti i tyre. Nuk menaxhohet shëndetësia me UD të pa përvojë dhe të padëshmuar”, tha Dreshaj.
“Pakënaqësitë deri më sot ishin të shumët. Dje, mjekët në specializim të cilët janë forca shtytëse e Shëndetësisë dhe puntorët e administratës protestuan për padrejtësitë e bëra në ligjin e Pagave. Është penguese në organizim të punës dhe diskrimunese mos pagesa e kujdestarive dhe mos stimulimi për rrezikshmëri. Disa herë si AAK Qeverisjes Kurti i është tërhequr vërejtja si në Parlament ashtu edhe në Komisione, për këtë diskriminim i cili dje rezultoi për këtë protestë”, tha tutje Dreshaj.