Faza grupore e Ligës së Kampionëve është ende larg, ndërsa fokusi vazhdon të jetë në Kampionatin Botëror të Futbollit, që ka hyrë në fazën finale në Rusi.
Por kur shumica e tifozëve të futbollit nëpër botë të jenë të orientuar te gjysmëfinalja e parë e Botërorit ndërmjet Francës e Belgjikës, në Kosovë do të luhet një ndeshje e garës elitare të klubeve evropiane të futbollit – Ligës së Kampionëve, shkruan sot Koha Ditore.
Të martën (sot, 20:45) në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, Drita e Gjilanit takohet me Malmon e Suedisë.
Drita është kampione e Kosovës, ndërsa Malmo e Suedisë. Ndeshja është e para e raundit të parë kualifikues. Ndeshja e kthimit luhet më 17 korrik në Suedi. Para fazës grupore, ku paraqiten klubet elitare evropiane, janë edhe raundi i dytë dhe raundi i tretë kualifikues e po ashtu raundi i plejofit. Kështu “filtrohen” skuadrat dhe vetëm më të mirat zënë vend në fazë të grupeve.