Filonit Shaqiri ka ndërruar skuadër, por jo edhe qytetin. Nga skuadra e Gjilanit ka kaluar te Drita. Gjilani e Drita kanë rivalitetin më të madh në futbollin e Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Të dy skuadrat janë klube të qytetit të Gjilanit. “FC Drita sot (e hënë v.j.) ka arritur marrëveshje me mesfushorin Filonit Shaqiri, i cili sot është bashkuar me pjesën tjetër të ekipit. Filoniti është shprehur shumë i kënaqur që tani është pjesë e kampionit dhe është i gatshëm që ta ndihmojë ekipin për sezonin e ri”, thuhet në njoftimin e Dritës.
Drita pas përfundimit të edicionit të kaluar e transferoi nga Gjilani edhe sulmuesin Betim Haxhimusa. Si kalimi i Haxhimusës ashtu edhe tash i Shaqirit është përcjellë me reagime të ashpra nga tifozët e klubit Gjilani.
Ndërkohë Gjilani po të hënën ka prezantuar dy futbollistë të huaj, Trevin Caesarin dhe Mauriocio Jose Marinhon. Caesar, 29-vjeçar, së fundi ishte pjesë e skuadrës Svay Rieng në Kamboxhia. Nga viti 2013 ka përfaqësuar Trinidad & Tobagon.
Mauricio 24-vjeçar së fundi ishte pjesë e klubit brazilian, Democrata. Të hënën është përforcuar edhe skuadra e Llapit. Llapi ka prezantuar Alban Rexhepin. 22-vjeçari së fundi ishte pjesë e Ferizajt. Ka luajtur edhe për Dritën, Gjilanin dhe Laçin.