Drita është kthyer në binarët e fitores në Superligë, pasi e mundi 4:0 Dukagjinin që luajti me 10 futbollistë për pjesën më të madhe të takimit të hënën.
Arbnor Muja shkëlqeu me dy gola dhe Ilir Blakçori e Ardit Tahiri kontribuuan me një nga një gol për skuadrën e Adrian Nuhiut në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, raporton Gazeta Express.
Drita vinte nga një humbje zhgënjyese ndaj rivalit të qytetit Gjilanit në derbin e Anamoravës javën e kaluar dhe e kishte më patjetër fitoren ndaj ekipit të sapopromovuar në elitë për të mos i lejuar rivalët për titull të shkëputën në renditjen tabelore.
Kaltërebardhët tani ngrihen në vendin e tretë me 28 pikë nga 16 ndeshje, dy më pak se lideri Ballkani dhe një më pak se rivali Gjilani.
Dukagjini i Armend Dallkut ngel në vendin e parafundit me 16 pikë, dy larg zonës së shpëtimit.
Muja e kaloi Dritën në epërsi pas vetëm nëntë minutave lojë.
Gjërat për vendasit u lehtësuan dukshëm në minutën e 40-të, kur Altin Merlaku u përjashtuan nga loja me karton të kuq për një ndërhyrje të rrezikshme.
Almir Ajzeraj dështoi ta dyfishonte epërsinë për vendasit, pasi goditjen e tij nga penalltia e priti portieri Kenan Haxhihamza në kohën shtesë në pjesën e parë.
Muja ia doli ta shënojë golin e qetësisë për skuadrën e Nuhiut kur realizoi tamam kur akrepat shënonin një orë lojë në Gjilan.
Gjashtë minuta para fundit Blakçori e çoi në 3:0 epërsinë e Dritës, para se Tahiri ta vuloste triumfin e thellë në minutën e katërt të kohës shtesë.