Sonte në orën 18:45, stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë skena e përballjes mes Dritës dhe skuadrës holandeze AZ Alkmaar, një duel që pritet me interes të madh në kuadër të Ligës së Konferencës.
Skuadra gjilanase, kampione e Kosovës, ka hyrë fuqishëm në këtë fazë të grupeve dhe pas katër ndeshjeve të para ka mbledhur 8 pikë falë dy fitoreve dhe dy barazimeve.
Forma e mirë e bardhekaltërve ka rritur pritjet, pasi ekipi po synon ta mbyllë edhe këtë takim pa humbje dhe të marrë rezultat që e mban në garë për kualifikim.
Kryetrajneri i Dritës, Zekirja Ramadani, në konferencën e djeshme, tha se ekipi është mjaft i motivuar.
“Është një garë ku kemi 8 pikë pas 4 ndeshjeve dhe shpresojë të vazhdojmë ecurinë pozitive dhe normal me një fitore mund të jenë krejt ndryshe pas asaj fitore por e para duhet të kemi shumë disiplinë taktike brenda në fushë dhe secili futbollist do të japë çdo atom brenda në fushë”, deklaroi Ramadani.
Ai tha se nuk i frikësohet presionit, ndërsa kërkoi “luftë” për fitore, ndërsa përmendi edhe premiot e mëdha që mund t’i presin lojtarët në rast të një rezultati pozitiv nga kjo ndeshje.
Edhe Futbollisti Arb Manaj tha se është i gatshëm për ndeshjen.
Sikurse Drita, edhe AZ Alkmaar udhëton drejt Prishtinës me një ecuri identike dhe kërkon të marrë maksimumin për të forcuar pozitën në grup.
Drita nuk do ta ketë në dispozicion kapitenin Rron Broja, i cili mungon për shkak të një lëndimi.