Nga pagesat e Solidaritetit të UEFA-së për këtë sezon, në garat evropiane, do të përfitojë jashtëzakonisht shumë kampionia e Kosovës në futboll, Drita.
Nga pjesëmarrja në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve e më pas ndoshta edhe në Ligën e Evropës, në rast dështimi në “Champions”, Drita në arkat e saj do t’i ketë të sigurta 750 mijë euro, raporton KTV.
3 miliardë e 25 milionë euro janë të ardhurat e UEFA-së për Ligën e Kampionëve, të Evropës dhe Superkupën e Evropës, ndërsa 2 miliardë e 55 milionë do të shpërndahen për klubet pjesëmarrëse.
Drita si kampione e Kosovës do t’i marrë 260 mijë euro, e 230 mijë euro të tjera për paraqitjen në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve.
Në rast dështimi të klubit gjilanas, Drita do të vazhdojë garën në Evropë përsëri, në rundin e dytë të Ligës së Evropës, ndërsa aty do t’i kishte të garantuara edhe 260 mijë euro tjera, në total 750 mijë euro. Natyrisht, ato do të rriten nëse Drita kalon ndonjë rund në “Champions” apo në “Europa League”.
Ky ndryshim i sistemit të garave në Ligën e Kampionëve nga UEFA, ka bërë që Drita bindshëm të fitojë më shumë se sa kampionia e vitit të kaluar, Trepça ’89, që në total kishte marrë 480 mijë euro.
Për kundërshtarë, Drita do ta ketë Santa Coloman e Andorrës apo Lincolnin e Gjibraltarit. Më pas duhet ta fitojë edhe takimin e dytë dhe finalen e këtij rundi për të kaluar në rundin e parë kualifikues, me shortin që do të hidhet më 12 qershor, kurse takimet zhvillohen më 26 dhe 29 qershor, nëse fitohet takimi i parë. Nikoqir i këtyre takimeve do të jetë Gjibraltari.
Prishtina nga ana tjetër si fituese e Kupës në Ligën e Evropës për paraqitje do të arkëtojë 220 mijë euro. Nëse shkon tutje, do të fitojë edhe 240 mijë euro të tjera.