Droga dhe pajisjet e kapura në veri kanë vlerë 2.3 milionë euro, çka po paralajmërojnë krerët e shtetit të Kosovës pas këtij aksioni

Prishtinë | 14 Shk 2023 | 07:53 | Nga Ekonomia Online

Me një deklarim në llogarinë e tij në Twitter, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë paralajmëroi se bandat kriminale serbe në veri, mund të ngrisin përsëri barrikada.

Sipas tij, ata mund ta bëjnë këtë sërish dhe të kryejnë sulme ndaj Policisë së Kosovës.

“Por do të dështojnë”, deklaroi ai.

Sipas Kurtit, një gjë të tillë mund të ndodhë, si reagim i bandave kriminale serbe.

Kjo meqë autoritetet kosovare, janë duke kryer punë drejt sundimit të ligjit.

Një deklarim të tillë, Kurti e bëri duke iu referuar së fundi, shkatërrimit të tre laboratorëve ilegalë të drogës në veri të Kosovës.

”Policia e Kosovës ka shkatërruar dje 3 laboratorë ilegalë të drogës në veri të Kosovës, një fitore e qartë për sundimin e ligjit”, deklaroi ai.

“Bandat kriminale të sponsorizuara nga Serbia nuk do të ndalen para asgjëje – duke përfshirë barrikadat e armatosura dhe sulmet e dhunshme ndaj policisë – për të mbrojtur ndërmarrjet e tyre të paligjshme”.

Kurse presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka takuar shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit si dhe bashkëpunimin me EULEX-in në kuadër të mandatit aktual të Lars-Gunnar Wigemark .

Përmes një njoftimi për media nga presidenca e Kosovës, bëhet e ditur se në këtë takim presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për zbatimin e rendit dhe ligjit, si dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit.

“Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit si dhe bashkëpunimin me EULEX-in në kuadër të mandatit të tij aktual. Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës për zbatimin e rendit dhe ligjit, si dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sveçla për aksionin në veri: Vlera e narkotikëve dhe pajisjeve është rreth 2.3 milionë euro

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka dhënë sërish detaje rreth operacionit policor anti-drogë në Mitrovicë të Veriut.

Sveçla ka bërë të ditur se është shkatërruar edhe laboratori i tretë i drogës.

Sipas tij, vlera e llogaritur e sasisë së lëndës narkotike dhe paisjeve është rreth 2.3 milionë euro.

“Profili i atyre që e ushtrojnë këtë veprimtari kriminale në veri të vendit tonë është i qartë: Paramilitarë e narkodilera. Këta po i mbron, mbështet dhe kur ju duhet i orkestron Presidenti i Serbisë Vuciq dhe pas tij ministri i mbrojtjes Vuceviq dhe Petkovic”- ka shkruar ministri në Facebook.

Sipas tij, barrikadat në veri të vendit në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kanë mbrojtur drogën e jo qytetarët.

“Siç kemi thënë barrikadat e vendosura gjatë muajit dhjetor në katër komunat e veriut të vendit në të vërtetë kanë mbrojtur drogën e jo qytetarët. Kanë mbrojtur grupet e krimit të organizuar dhe jo burrat e gratë të komunitetit serb shtetas të Kosovës. Ato kanë mbrojtur vetëm dhe vetëm fijet e krimit që dërgojnë në ndërtesën presidenciale të Serbisë, aty nga ku Vuciq dirigjon klanet kriminale për paratë e trafikut me të cilat më pas sulmon shtetin tonë në emër të të drejtave të qytetarëve” – thuhet në postimin e Sveçlës.“Asnjë qytetari në botë nuk mund të mbrohet nga narkodillerat dhe paramilitarët. Kjo kohë ka marrë fund. E drejta do të triumfojë edhe më herët se sa që e kanë paramenduar” – ka shkruar ai tutje.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas hetimeve intensive në rajonin e Mitrovicës veri, është realizuar një operacion policor anti-drogë.

Të ngjashme