Një dron rus goditi një autobus që po transportonte punëtorë në qytetin Marhanets të Ukrainës të mërkurën herët, duke lënë të vrarë nëntë njerëz në valën e sulmeve që në shënjestër e kishin infrastrukturën civile në pjesët lindore, jugore e qendrore të vendit, thanë zyrtarët ukrainas.
Niveli i plotë i sulmeve, të cilat e mbajtën Kievin dhe pjesën lindore të Ukrainës zgjuar për disa orë gjatë natës, nuk ishte menjëherë i njohur, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Rusët sulmuan një autobus me punonjës të ndërmarrjes, të cilët ishin rrugës për në punë në Marhanets” – tha në rrjetin “Telegram” drejtori i këshillit rajonal të Dnipropetrovskut, Mykola Lukashuk.
Serhiy Lysak, guvernator i këtij rajoni, në të cilin përfshihet edhe qyteti Marhanets, tha se nëntë njezër u vranë në sulm, ndërsa të paktën 30 të tjerë u lënduan.
Shërbimi emergjent ukrainas tha se pati një sulm edhe në distriktin Synelnykivskyi të rajonit të Dnipropetrovskut, ku u lënduan dy persona dhe u shkaktua një zjarr në një ndërmarrje bujqësore.
Rusia kreu gjithashtu një sulm “masiv” me dronë në rajonin qendror ukrainas, Poltava, duke lënduar të paktën gjashtë njerëz, njoftoi shërbimi emergjent në rrjete sociale.
Disa zjarre shpërthyen, ndërsa u dëmtuan ndërtesa banimi, ndërmarrje, depo dhe garazhe, thuhet më tej në njoftimin që shoqërohet me fotografi të zjarrfikësve duke luftuar kundër flakëve natën.