Ka tash e sa ditë që deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Blair, ka iniciuar fushatën e saj me kërkesën për drejtësi për historinë e saj.
Që me debutimin e saj në politikë, Vasfija ka treguar se do të bëhet zëri i shumë femrave që janë dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Teksa një ditë më parë, ajo iu shpërndau kolegëve të saj në parlament banderolën me mbishkrimin “#rallyforherjustice (së bashku për drejtësinë e saj)”, duket se një banderolë e tillë ka arritur edhe në duart e emrave eminentë botërorë.
Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, është njëra ndër to, e cila në një fotografi të realizuar së fundmi në Londër, ka pozuar me pankartën në fjalë.
Ka qenë vet Vasfije Krasniqi – Goodman, ajo e cila ka publikuar një fotografi të këngëtares fituese të çmimeve ‘Grammy’ në Facebook, duke e falënderuar për mbështetjen e dhënë.
“Faleminderit Dua Lipa, të dua”, ka shkruar deputetja e Kuvendit të Kosovës në mbishkrimin e fotografisë.
Ndërkohë, edhe vet Dua e ndau këtë fotografi me 73.8 milionë ndjekësit e saj në Instagram, duke iu bërë thirrje të gjithëve që t’i bashkohen fushatës së saj që do të prezantohet në New York më datë 28 të këtij muaji.
“Bashkojuni Vasfije Krasniqit në ‘Së bashku për drejtësinë e saj’ më 28 tetor në New York. Vasfija është një e mbijetuar dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, e cila ka qenë një mision si avokate e të mbijetuarve nga Kosova dhe e gjithë bota duke kërkuar drejtësi për krimet e pandëshkuara gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar Lipa.