Trajneri i Al Saddit, Xavi, i ka kërkuar klubit të vet të tanishëm ta lejojë të largohet për ta marrë postin e trajnerit të Barcelonës.
Derisa Al Saddi konfirmoi dje përmes një komunikate së qëllimi i tij është ta mbajë Xavin, 41-vjeçari e ka shprehur haptazi tani dëshirën për t’u kthyer në atë që e quan shtëpi, raporton Gazeta Express.
Xavi i kaloi 17 sezone si futbollist në Camp Nou dhe vlerësohet si legjendë e klubit katalonas.
Duke folur pas barazimit të skuadrës së tij Al Sadd 3:3 me Al Duhail në Ligën e Yjeve të Katarit të mërkurën, Xavi tha: “Jam në bisedime me Barçën që disa ditë”.
“Tani gjithçka varet nga bisedimet mes dy klubeve, ato duhet ta arrijnë një marrëveshje. Unë dua të kthehem në shtëpi vërtet. Shpresoj se do të ndodhë. Unë kam kontratë dhe tani klubet duhet të bisedojnë. Ata e dinë qëndrimin tim”, shtoi ai.
Pas ndeshjes të mërkurën, Xavi i përshëndeti dorë për dore të gjithë lojtarët e vet dhe gjyqtarët, në atë që u duk si një lamtumirë.
Xavi do ta pasojë të shkarkuarin Ronald Koeman në stolin e Barcelonës.