“Duam ndryshim dhe e duam tani” ishte thirrja kryesore e 100 ambientalistëve të rinj në Ditën Botërore të Mjedisit

Prishtinë | 05 Qer 2024 | 12:20 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zyra e UNICEF-it në Kosovë, në bashkëpunim me Ambasadën e Suedisë në Kosovë dhe partnerin implementues “PEN,” shënoi Ditën Botërore të Mjedisit, ku të pranishëm 100 ambientalistë të rinj bën thirrje për veprim të menjëhershëm nga vendimmarrësit dhe akterët tjerë në mbrojtje të mjedisit, raporton Ekonomia Online.

Shënimi i Ditës Botërore të Mjedisit u pasua nga një ekspozitë e heshtur e organizuar nga 100 të rinj, duke nxjerrë në pah çështje urgjente, si ndotja e ajrit, shpyllëzimi, mbeturinat, përmbytjet dhe valët e të nxehtit. Secili instalacion në ekspozitë barte një mesazh prekës, duke kërkuar veprime të menjëhershme në mbrojtje të planetit tonë. Ekspozita ishte një paraqitje në realitet e shprehjes “një fotografi sa një mijë fjalë,” pasi që vuri në pah shqetësimin e të rinjve për gjendjen aktuale të mjedisit. Për më tepër, mundësoi edhe një platformë fuqizuese për të rinjtë që t’i ndajnë përvojat e tyre personale për ndotjen e ajrit dhe çështjet tjera mjedisore. Të rinjtë u bën thirrje bashkëmoshatarëve të tyre, shoqërisë kosovare, institucioneve lokale dhe kombëtare që të ndërmarrin veprime të menjëhershme që së bashku t’i zvogëlojnë emetimet e gazeve serrë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se janë duke punuar përmirësimin e kushteve më të mira për qytetarët. Ai tha se ambienti i pastër është një mision që po përmbushet nga komuna që ai e drejton.

 “Kryeqyteti është duke krijuar politika dhe vizioni ynë është në përputhje të zhvillimit të qëndrueshëm dhe më mbrojtje të mjedisit. Jemi duke ndërmarr hapa për zona për këmbësor që të stimulohet ecja dhe transporti alternativ. Po ashtu, edhe zgjerimi i rrjetit të ‘Termokos’ që është një nga faktor për ruajtje të  ambientit. Ju keni pa edhe projekte të ndryshme të cilat lidhin zonat në kryeqytet për  një qasje lë lehtë dhe të sigurt. Janë iniciativa të ndryshme sikurse edhe ardhja e autobusëve të rinj, të cilat do të ndikojnë në përdorin sa më shumë të trafikut urban. Ambienti i pastër është një është një mision i cili po përmbushet nga Komuna e Prishtinës”, tha Rama.

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, tha se ka vizituar Prevallën javën e kaluar derisa theksoi rëndësinë e një ambienti të pastër.

“Atje njerëzit bënin piknik dhe më është  kujtuar fëmijëria në Suedi kur kemi qenë fëmijë që bënim piknikë të tilla. Falënderoj UNICEF-in për punën dhe të gjithë që punojnë për një ambient të pastër”, tha ai.

Shefi i UNICEF-it në Kosovë, Benjamin Fischer, tha se ajri në Prishtinë është i ndotur e sidomos dimrit, duke shtuar se është e rëndësishme të punohet në këtë drejtim.

“UNICEF-i, ka një impakt të rëndësishëm, por rreth 99 foshnja në botë vdesin për shkak të ajrit jo të pastër, kjo është alarmante. Klimaksi po ndryshon fëmijët, duhet të gjejmë zgjidhje dhe jam i lumtur që sot jemi këtu. Inkurajoj secilin njeri që të marrë masa për një ambient sa më të pastër, të kontribuojë për tjerët por edhe veten”, tha ai.

Të ngjashme