Jakup Krasniqi në ditën e tretë të seancës ka marrë fjalën për të thënë se aktakuzën e tanishme e konsideron të palogjikshme.
Ai filloi fjalimin e tij me histori personale të familjes së tij për të treguar se në çfarë rrethana është rritur dhe pse ka vendosur që të zgjedhë këtë rrugë.
Krasniqi para trupit gjykues foli edhe për dënimet dhe torturat që kishte përjetuar nga regjimi serb gjatë demonstratave të 81’ës.
“U ushtrua dhunë e tmerrshme edhe ndaj meje. Gjatë dy proceseve hetuese që janë zhvilluar ndaj meje 81/82 kam përjetuar tmerre që s’përshkruhen me fjalë. Duart dhe këmbët i kisha gjithmonë të ënjtura nga rrahjet. Pas dy proceseve të hetuesisë më dënuan dy herë. Më 81-ën me dënuan me 14 vjet burg, 92 me 15 vjet burg. I përmenda torturat që u ushtruan ndaj meje për të nënvizuar një fakt të pakontestueshëm. Asnjë hetues, asnjë prokuror dhe asnjë gjyqtar të Jugosllavisë që ishin përgjegjës për tortura pskike dhe fizike, që përjetova gjatë asaj kohe nuk ka qenë as objekt kritike në shkrimet e mia, i kam lënë të qetë që t’i brejë ndërgjegjja për veprimet e tyre kriminale”.