Kampionati Evropian i futbollit po afron dhe T7 pritet të jetë protagonist në skenën mediatike në Kosovë gjatë 30 ditëve të mbajtjes së kësaj ngjarjeje të madhe sportive, që nis më 11 qershori dhe zgjat një muaj, deri më 11 korrik.
Ky emision do të udhëhiqet nga Duda Balje dhe Rron Gjinovci, dy personazhe të njohura të politikës, e aspak të sportit.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, veç politikës mendon se edhe sporti e ka një rëndësi të madhe dhe për të kjo do të jetë një sfidë e veçantë.
“Për mua është një sfidë e veçantë, ta them të drejtën. Disa shokë ma kanë dhënë këtë ide. Nuk kam qenë e sigurt aspak, por prapë se prapë, unë mendoj se sporti është shumë i rëndësishëm për një jetë të shëndetshme. Si pikë e parë, unë po dua ta përkrah sportin. Për mua është një sfidë e veçantë sepse unë nuk kam shumë informata për futbollin, por jam gati të mësoj dhe mendoj se ne mund ta bëjmë një punë të mirë”, thotë ajo.
Përkrah saj në emision, Balje do ta ketë pjesëtarin e shoqërisë civile, Rron Gjinovci.
“Rronin e kam përcjellë më shumë në anën e politikës. Tash është një moment i veçantë pasi unë dhe Rroni nuk do të flasim për politikë, por veç për futboll. Më gëzon ky fakt, jam e kënaqur dhe jam e lumtur që me Rronin do të jemi bashkë”, shtoi Duda. Por, sa ka njohuri Balje për futbollin? Ajo e ka një përgjigje për këtë.
“Këto 10 ditët e fundit kam nisur të mësoj për futbollin, kam lexuar shumë. Me të vërtetë, futbollistët e kanë një jetë interesante. Ne do të flasim për këtë. Jam e sigurt se ne do të mundohemi ta japim një pasqyrë shumë interesante për një pjesë të qytetarëve dhe për njerëzit që nuk kanë ditur shumë për futbollin. Jemi gati për të mësuar dhe kemi menduar se futbolli është mjaft i rëndësishëm për jetën e njerëzve”, shtoi ajo.
Pjesë e të ftuarve në këtë spektakël televiziv do të jenë shumë fytyra interesante, jo vetëm nga bota e sportit, por edhe nga politika, showbizi e fusha të tjera të ndryshme. Deputetja, përveç angazhimeve në Kuvendin e Kosovës, njihet edhe për pamjen e saj, e cila është shumë e diskutueshme në mediat rozë.
Duda premton se edhe gjatë emisioneve në T7 përgjatë Evropianit do të prezantohet me “lluk” interesant.
“Unë do të provoj ta adaptoj veten për emision. Unë prapë se prapë mendoj se lluku është shumë interesant, por më e rëndësishmja është se ne do të hapim tema shumë interesante, edhe për mendime edhe për komente dhe shpresoj që do të jetë shumë interesante”
Sa i përket ekipeve kombëtare, Balje në “Euro 2020” do ta mbështesë Kombëtaren e Zvicrës, ku bëjnë pjesë kosovarët Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri. Ndërkaq, pjesë e emisionit do të jetë edhe analisti karizmatik, Rron Gjinovci.