Duda Balje ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat që ka mbajtur në Partinë Demokratike të Boshnjakëve- koalicioni VAKAT. Këtë vendim ajo thotë se e ka marrë pasi që për një periudhe të gjatë është prishur harmonia brenda partisë dhe agresiviteti brenda kishte arritur kulmin në fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit
“Vendimi im është personal, por edhe moral, si një përgjigje që nuk dua të legjitimizojë disa aktivitete që ndërlidhen me punën e partisë (DSB), si dhe me lëvizjet politike dhe interesat, të bëra nga një rreth i ngushtë njerëzish kryesisht për qëllim dhe ambicie personale, duke marrë parasysh komunitetin dhe pasojat e mundshme”, ka thënë Balje.
Balje e cila ka fituar vota të mjaftueshme për t’u bërë deputete edhe në legjislaturën e radhës, thotë se dorëheqja e saj nga VAKAT-i është e pakthyeshme, ndërkohë ka listuar edhe një sërë kritikash ndaj anëtarëve të partisë.
Ajo thotë se kjo dorëheqje vjen pas sulmeve të orkestruara ndaj saj, përhapjen e gënjeshtrave për punën që ka bërë, si dhe krijimin e një konkurrencë të panevojshme brenda partisë, shkruan Express. Ajo thotë se disa persona madje janë munduar që të paraqesin edhe si “armike të partisë”.
Ajo thotë se kjo ka qenë një prej goditjeve më të mëdha që ka marrë, pas gjithë punës që ka bërë për partinë dhe për komunitetin boshnjak, raporton Gazeta Express.
Tutje Balje ka thënë se ka pasur edhe margjinalizim të anëtarëve më të vjetër të partisë dhe atyre me përvojë, dhe potencon se gjithashtu ka pasur mungesë të transparencës në vendimmarrje e shpenzime të financave.
Duda Balje thotë se shfrytëzimi i partisë për përfitime personale dhe interesa të ngushta personale, është një gjë shumë e rrezikshme për komunitetin boshnjak.
Angazhimin politik ka treguar se do ta vazhdojë si pjesë e grupit parlamentar 6+, përmes të cilit thotë se do të vazhdojë të luftojë për interesat e boshnjakëve edhe në legjislaturën e ardhshme.
“Prioriteti im do të jetë sikur më përpara, prioritetet e komunitetit boshnjak”, ka thënë Balje.