Mosballafaqimi në një debat kokë më kokë mes Ramush Haradinajt dhe Albin Kurtit e ka zhvendosur “luftën” e tyre në një skenë tjetër. Dy kandidatët për kryeministër po përdorin rrjetet sociale e intervistat nëpër mediume që krahas thumbimeve t’i tregojnë sovranit pse njëri vlen më shumë se tjetri. Analistët thonë se ky është vetëm fillimi i luftës nga distanca mes tyre
Se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës është pyetja të cilën po provon që t’i përgjigjet secili qytetar i këtyre ditëve. E cili duhet të jetë ai këtë po provojnë ta dëshmojnë dy akterët kryesorë në këtë duel kryeministrash, Ramush Haradinaj si i nominuar nga koalicioni PAN për këtë pozitë dhe Albin Kurti nga lëvizja “Vetëvendosje”.
Që të dy tashmë kanë nisur edhe haptazi ballafaqimin e tyre, duke thumbuar njëri-tjetrin nëpër rrjetet sociale dhe përmes intervistave të ndryshme nëpër mediumet kosovare.
Në AAK thonë se Ramush Haradinaj edhe ligjërisht është i vetmi i cili ka të drejtë ta formojë Qeverinë. Ndërkohë në lëvizjen “Vetëvendosje” janë të bindur se Republikës së Kosovës i kthehet dinjiteti vetëm me Albinin si kryeministër. Analistët kosovarë vlerësojnë se përballja Haradinaj-Kurti do të intensifikohet edhe më tej me kalimin e ditëve. Sipas tyre, të dy kandidatët nuk do ta kursejnë as gjuhën e ashpër deri në momentin që në lojë do të hyjë presidenti Thaçi.