Armand Duka është shprehur i lumtur me besimin që i është dhënë për detyrën e zëvendës presidentit të UEFA-s.
Vendimi u mor sot në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që zgjodhi pikërisht presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) me votim unanim në postin e numrit dy të qeverisë së futbollit evropian.
Gjithashtu sot u vendos që Shqipëria të jetë organizatore e Kampionatit Evropian “Euro 2025” për 17-vjeçarët.
Duka theksoi se data e sotme do të mbetet një datë historike për futbollin shqiptar.
Postimi i plotë nga Duka:
“Të dashur miq,
Dua të ndaj me ju lajmin se nga sot më është besuar detyra e Zëvëndës Presidentit të UEFA-s. Ndihem shumë i nderuar nga ky besim që më ka dhënë komiteti i futbollit europian. Ky është padiskutim një privilegj i madh për mua por në të njëjtën kohë është dhe një vlerësim i madh që i bëhet futbollit shqiptar e punës së madhe që është bërë në këto vite.
Komuniteti i futbollit shqiptar sot ka një vend në drejtimin e futbollit europian dhe sëbashku do të japim kontributin tonë për mbarëvajtjen dhe strategjitë zhvillimore të futbollit në të gjithë Europën.
26 shtatori 2023 do të mbetet një datë historike për futbollin shqiptar dhe jo vetëm sepse familja e madhe e futbollit europian, UEFA, na besoi organizimin e Kampionatit Europian për 17 vjeçarët në vitin 2025-të. Ky Kampionat Europian është padiskutim organizimi më i madh në historinë e futbollit tonë dhe duhet të jemi shumë krenar që pas organizimit të sukseshëm të shumë aktiviteteve europiane tani na u besua një kompeticion kaq prestigjos.
Përpara kemi shumë punë, na presin sfida të rëndësishme, por sëbashku me Qeverinë shqiptare, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Bashkitë e qyteteve që do të mirëpresin këtë kompeticion, do të arrijmë të bëjmë një organizim të shkëlqyer që do të nderojë Shqipërinë dhe futbollin tonë”.