Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur për pasojat që i sjell vendimi i qeverisë që të suspendohen ndeshjet e futbollit shkaku i coronavirusit, duke thënë se shqiptarët kanë kaluar shumë gripe.
Dy ndeshjet e fundit të xhiros së 26-të të Kategorisë Superiore, niveli i parë i futbollit në Shqipëri, u zhvilluan pa praninë e tifozëve. Kjo pasi që në orët e para të mëngjesit të së hënës u konfirmuan dy rastet e para me coronavirus në vend.
Pas identifikimit të dy rasteve me koronavirus, qeveria shqiptare mori vendime dhe masa të ndryshe për ta kontrolluar përhapjen e virusit – njëra prej tyre ishte edhe pezullimi i ndeshjeve të futbollit.
“Në fakt është e vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Qeveria mori një vendim që ndërpret aktivitet jo vetëm sportive”, ka thënë Duka, i cili ishte i ftuar në “Pressing”.
“Mos zhvillimi i ndeshjeve ka pasoja ekonomike. Sepse ka 20 mijë futbollistë dhe më shumë se 5 mijë që shërbejnë, ka pasoja ekonomike si e drejta televizive dhe ti nuk bën emision nëse nuk ka sport”.
“Nga pikëpamja sportive është e vështirë se kur do t’i përfundosh dhe a do jesh pjesë e Evropës nëse ke nuk ke mbyllur kampionatin. Unë mendoj se ka dhe një lloj paniku se me dy raste nuk mendoj se është ndonjë panik i madh.
“Personalisht nuk do të merrja dhe masa kaq drastike. Këto lloj masash kanë pasoja. 1 muaj pezullim a je i vërtetë që të rikuperosh. Nëse virusi do të na mbyllë kaq shumë brenda nuk mund të marrim kallashin kundër virusit. Shëndeti i pari por nuk besoj se duhet të jemi në kaq panik. Sa gripe që kemi kaluar ne shqiptarët”.