Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do ta financojë manifestimin “Flaka e Janarit”, në Gjilan.
Kjo u bë e ditur gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet ministres së MKRS-së, Vlora Dumoshi dhe kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, raporton Ekonomia Online.
Ministrja Dumoshi tha se është e gëzuar që po e finalizon një memorandum për të përkrahur manifestimin “Flaka e Janarit”.
“Vërtetë sot është një ditë e veçantë që sot me këtë rast kemi nënshkruar memorandumin për manifestimin e festivalit ‘Flaka e Janarit’. Kjo ndërlidhet edhe me 2 korrikun dhe me njerëzit që kanë dhënë kontribut për këtë ditë”, tha Dumoshi.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se nënshkrimi i memorandumit për financimi i manifestimit “Flaka e Janarit”, tregon kujdesin institucional për këtë qytet.
“Jam i nderuar që sot të pres për vizitë ministren Vlora Dumoshi. Simbolika e heronjve tanë të 2 korrikut shpallen deklaratën e Pavarësisë dhe vendosen themelet e shtetit të Republikës që ne sot e gëzojmë dhe ardhja e vet ministres tregon kujdesin institucional për vet qytetin tonë”.
“Nënshkrimi i marrëveshjes ka të bëjë me festivalin e Gjilanit ‘Flaka e Janarit’, që për herë të parë ministrja Dumoshi e institucionalizon këtë festival dhe e respekton vendimin e Qeverisë së kaluar që ky festival e merr emrin festival kombëtarë”, tha Haziri, raporton EO.
Gjatë ditës së sotme, ministrja Dumoshi do ta vizitojë stadiumin e qytetit, e më pastaj do të vendosin gurthemelin e stadiumit ndihmës në lagjen “Arbëria” në Gjilan.