Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, të martën ka vizituar komunën e Obiliqit ku është takuar me kryetarin e kësaj komune Xhafer Gashi, raporton Ekonomia Online.
Gjatë vizitës në këtë komunë ministrja Dumoshi tha se me komunën e Obiliqit si edhe me komunat tjera kanë bashkëpunim të mirë.
Dumoshi theksoi se gjatë këtij viti në këtë komunë do të ketë disa investime në trashëgimi kulturore dhe sport.
“Në pjesën e trashëgimisë do të fillojmë me punimet në Dardhishtë, dhe fushën sportive në Plemetin. Për vitin 2021 do të jetë prioritet qendra rinore, të cilin ministria e Kulturës do ta ketë në buxhet për vitin 2021”, ka thënë Dumoshi.
Ndërsa, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, duke falënderuar ministren Dumoshi për vizitën dhe përkrahjen në projekte, ka thënë se takimi ka qenë i tipit informues, ku ministrja është informuar për situatën në komunën e Obiliqit , raporton EO.
Gjatë vizitës në Obiliq ministrja se bashku me kryetarin Gashi, kanë vizituar shkollën “Ismail Dumoshi” dhe bibliotekën e qytetit.