Me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve të Sportit, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur në takim gazetarë të sportit për të diskutuar mbarëvajtjen dhe sfidat me të cilat ballafaqohet sporti dhe gazetarët sportivë, raporton Ekonomia Online.
Fillimisht Dumoshi ka uruar të gjithë gazetarët sportivë për ditën e tyre. Ajo ju ka premtuar atyre se ministria që ajo përfaqëson do t’ju qëndrojë pranë dhe do të jetë bashkëpunuese.
“Urime dita e juaj dhe faleminderit që keni pranuar ftesën time sot. Sot është 2 korriku edhe një festë historike dhe neve na takon si ministri që të jemi shumë afër jush dhe ta kemi një bashkëpunim. MKRS-ja siç e dini ka investime të mëdha dhe vetë tani që jemi pjesë e organizatave më të mëdha sportive. Ne po i bëjmë stadiumet me standarde më të mëdha”, u shpreh ajo.
“Për mua është ditë e respektit se Kosova ka një histori të trishtë po ashtu ka edhe një histori me njerëz të mëdhenj të gazetarëve sportivë”, tha Dumoshi.
Mes tjerash Dumoshi tha se do të përkushtohet në krijimin e kushteve më të mira për gazetarët sportivë, raporton EO.
“Për mua është kënaqësi dhe jam shumë e lumtur që kemi edhe vajza që udhëheqin dhe ju siguroj që do të jem pranë jush dhe kërkesat që bëhen kanë me qenë që do të zbatohen. Përkushtimi im është së pari të ju krijojmë kushte sportistëve tanë”
Kryetari i shoqatës së gazetarëve sportive, Edmond Thaçi, ka pasur një kërkesë për ministren Dumoshi që gazetarëve të sportit të ju ofrohen kushte më të mira.
“Në emër të bordit ju urojmë postin dhe besojmë që shumë shpejt do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë dhe këtë ditë ta shënojmë me takimin me juve. Dhe ju jeni edhe një faktor i rëndësishëm në promovimin e vlerave tona”.
“Jemi me fat që e kemi një komunitet të ri dhe e kemi një numër të madh në proporcion me numrin e banorëve po ashtu jemi edhe aktiv dhe çdo trajnim i ka përgjegjësitë e veta. 2 korrik do ta shfrytëzojnë si kërkesë për ta respektuar njëri tjetrin dhe për ti krijuar mundësi gazetarëve me pas hapësirë dhe kushte më të mira në terrenet sportive”, tha ai.