Ylli amerikan i basketbollit Kevin Durant nuk fajëson ish-skuadrën Golden State Warriors për lëndimin e tejzës së Akilit në serinë finale të NBA-së stinorin e kaluar.
Durant, që muajin e kaluar firmosi kontratë katërvjeçare me Brooklyn Netsin në vlerë 164 milionë dollarë, mori lëndimin në ndeshjen e pestë të serisë finale të NBA-së pasi kishte tentuar të rikthehej pas një lëndimi të pulpës, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e AFP-së.
30-vjeçari, që kishte shtyrë Golden Staten drejt titullit të NBA-së në vitet 2017 dhe 2018, ka thënë se nuk ka asgjë kundër vendimit të Golden Statet për të aktivizuar atë në lojën ndaj Toronto Raptorsit në ndeshjen e pestë finale, në qershor.
“Jo assesi. Si mund të fajësosh Warriorsat? Kam dëgjuar se më është bërë presion të kthehem. Por asnjëri nuk ka thënë asnjë fjalë gjatë rehabilitimit, ndërsa po tentoja të kthehesha. Isha vetëm unë dhe Rick Celebrini, drejtori i mjekësisë sportive i Golden Statet që po tentonim për kthim në lojë. Me të nisur seria finale, unë kisha shënjestruar kthimin në ndeshje të pestë. Thjesht ndodhi lëndimi tjetër. Askush nuk është përgjegjës. Ishte thjesht një ndeshje. Unë do të kthehem sërish në parket”, ka thënë Durant, fituesi i dyfishtë i çmimit MVP në NBA.
Kishte menjëherë shqetësim pas vetëm një çereku në ndeshjen e pestë se Durant ishte nxituar me kthim në parket. Golden State ishte në disavantazh në serinë finale 3:1. Më pas erdhi lëndimi i Durantit. Lëndimi do ta mbajë yllin jashtë në pjesën më të madhe të stinorit 2019\20.
Të gjithë të përfshirët te Golden State Warriors, përfshirë edhe trajnerin Steve Kerr, thanë se vendimi për të aktivizuar Durantin ishte pas konsultave me mjekët. Mjekët kishin thënë se më e keqja që mund të pësonte ishte një lëndim i pulpës, që e kishte mbajtur Durantin jashtë pjesës më të madhe të plejofit.
Mirëpo, Duranti mori lëndim dukshëm më të rëndë. Këputi tejzën e Akilit.
Golden State Warriors pësoi 4:2 në serinë finale ndaj Toronto Raptors. Toronto u bë ekipi i parë jashtë SHBA-së që fitoi titullin e NBA-së.
Durant ka paralajmëruar se pas largimit të yllit Kawi Leonard nga Toronto drejt LA Clippers, skuadra kanadeze ndoshta më nuk do të luajë kurrë në një finale të NBA-së.