Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka kritikuar Prokurorinë Speciale duke thënë se kanë kaluar dy vjet e 50 ditë dhe nuk është “ndërmarrë asnjë veprim për lëndën e mirëmbajtjes së urave”.
Durmishi ka thënë se në dosjen që kanë dorëzuar në prokurori “ka shkelje flagrante të ligjit, por çuditërisht nuk ka asnjë veprim të Prokurorisë Speciale”.
“2 vjet e 50 ditë kanë kaluar dhe ende asnjë veprim nga prokuroria speciale për lëndën e mirëmbajtjes së urave. Ishin zotuar 500 mijë euro për këtë tender dhe në fund kontrata përfundon me 5 milion e 300 mijë euro. Pra rritja nuk është 10% e as 30% por mbi 1000%. Në këtë dosje të dorëzuar ka shkelje flagrante të ligjit por çuditërisht nuk ka asnjë veprim të prokurorisë speciale. Në kontratën e mirëmbajtjes së autostradës në të kaluarën pozicioni i inspektimit ditor paguhej 25 mijë euro në muaj ose 900 mijë euro për tri vjet. Pra, një person që lëvizte me një automjet Pick-up nëpër autostradë që të shihte ku kishte nevojë për të intervenuar paguhej 900 mijë euro për tri vjet. Në kontratë e re që është tash i kemi hequr pozicionet e duplifikuara dhe nuk kemi lejuar çmime jonormalisht të ulëta ose jonormalisht të larta. Me kontratën e re pozicioni i inspektimit të rrugës paguhet 1000 euro në muaj ose 36 mijë euro për tri vjet. Në të kaluarën ky pozicion paguhej për 25 herë më shtrenjtë se sa paguhet sot. Çfarë duhet t’i ofrojmë tjetër prokurorisë që të veprojë?” – ka shkruar Durmishi në një postim në Facebook.