Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka prezantuar të premten disa të gjetura për keqpërdorime në njësitë për patentëshofere gjithandej Kosovës, veçanërisht në atë në Pejë. Ai tha se dyshohet për një ndërmarrje të gjerë kriminale për të cilën kanë dorëzuar prova në Prokurorinë Themelore të Pejës, raporton Ekonomia Online.
Por, sipas tij, situatë më e mirë nuk është as në qendrat tjera për patentë shoferë në Kosovë.
Durmishi ka thënë se treguar se në Pejë janë hasur keqpërdorime të dyshimta pasi ka pasur numër tejet të madh kandidatësh që i janë nënshtruar provimit praktik për patentë shofer dhe ata kryesisht nga qytete krejt të tjera.
“Nga ajo që kemi gjetur deri tani, dyshimet tona kanë të bëjnë me një ndërmarrje të gjerë kriminale që mbetet të vërtetohet nga organet e drejtësisë… Gjatë monitorimit të këtyre qendrave kemi hasur në keqpërdorime, por në Pejë kemi hasur në një dukuri që në njësitë tjera nuk ka ndodhur. Në këtë njësi kishte 666 kandidatë më 2023 që kishin kaluar provimin praktik në kategorinë B, C dhe C1, të gjithë kandidatët pothuajse kanë qenë nga qytete të ndryshme, prin Podujeva, Malisheva, Gjilani, Drenasi, Kamenica, etj. Është shumë e dyshimtë atëherë kur një kandidat nga Kamenica shkon në Pejë për ta kaluar provimin në pjesën praktike”, ka thënë ai.
Durmishi ka thënë se në Pejë është gjetur se në shumë dosje ka mospërputhje të dokumentacionit.
“Ka raste kur kandidati i është nënshtruar provimit teorik më 2023 në Prishtinë, e në dosje figuron që e ka kaluar provimin më 2022 në Pejë. Ka shumë raste që kandidatët i janë nënshtruar provimit më 2022, e me certifikatën e Kryqit të Kuq janë pajisur më 2023”.
Dyshime janë ngritur edhe për ekzaminerë. Ai ka përmendur njërin i cili, siç ka thënë Durmishi, për dy javë i ka kaluar 200 kandidatë.
“Kemi gjetur se është keqpërdorur emri dhe nënshkrimi i një ekzamineri që ka dalë në pension. Një pjesë e madhe e kandidatëve që e kanë kaluar provimin, nuk kanë qenë fare në Kosovë në atë kohë. Kemi një rast kur një ekzaminer është angazhuar vetëm dy javë në Pejë dhe brenda kësaj periudhe ky ekzaminer i ka kaluar 200 kandidatë në pjesën praktike. Kjo është dukshëm mbi mesatare dhe janë kryesisht kandidatë nga komuna të tjera”, ka potencuar ai.
Durmishi ka njoftuar se për ekzaminerët e dyshuar janë ndërmarrë masa.
“Tre ekzaminerëve iu kemi shkëputur vendimet, e lëndët me të gjeturat i kemi dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Pejës. Pas përfundimit të hetimeve, në rast të vërtetimit të këtyre pretendimeve nga gjykata, jam i obliguar që sipas ligjit ta bëjë edhe anulimin e këtyre provimeve”, ka deklaruar ai.
Fjala e plotë e zv.ministrit Durmishi në konferencën për medie:
Të nderuar gazetarë,
Faleminderit që keni ardhë për të përcjellur konferencën për media të organizuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës
Këto tri vite kemi bërë përpjekje maksimale që situata në njësitë për patent shofer të rregullohet.
Menjëherë, prej fillim të mandatit kemi punuar maksimalisht që në pjesën teorike të realizojmë e-testimin në mënyrë që të pamundësojmë kalimin e provimit me metoda korruptive.
Që nga 1 janari i vitit 2022 kemi filluar me e-testim për kategorinë B për të vazhduar më pastaj edhe me kategoritë tjera dhe tani përmes e-testimit realizohen provimet në të gjitha kategoritë dhe në të gjitha gjuhët.
Që nga dje e kemi lansuar edhe mundësinë që përmes e-Kosova të mund të paraqiten provimet dhe ndarja e termineve online. Të gjitha këto në kuadër të punës tonë drejt digjitalizimit të komplet sistemit. Për më shumë për herë të parë ministria e jonë e ka bërë edhe doracakun për patent shofer.
Përkundër punës tonë të vazhdueshme, fatkeqsisht keqbërësit gjejnë forma e metoda të ndryshme që të korruptojnë sistemin dhe pajisja me patent shofer të bëhet në kundërshtim me ligjin. Detyrë e jonë është që t’i luftojmë fuqishëm këto dukuri dhe për çdo dyshim më të voglin të marrim masa dhe t’i njoftojmë organet e drejtësisë. Pajisja me patent shofer me metoda korruptive është krim, sepse ata shoferë, edhe sot që po flasim ndodhen në komunikacion dhe rrezikojnë veten dhe jetën e të tjerëve. Shumica e aksidenteve në komunikacion ndodhin për shkak të mosrespektimit të rregullave në trafik prandaj lufta jonë kundër të gjithë atyre që janë të përfshirë do të jetë e pakompromis.
Të dashur gazetarë,
Të dashur qytetarë,
Nga ajo që ne kemi gjetur deri më tani, dyshimet tona kanë të bëjnë me një ndërmarrje të gjerë kriminale, e cila mbetet të vërtetohet nga organet e drejtësisë.
Dyshimet tona kanë filluar nga informatat e shumta që na dërgonin qytetarët. Pas analizimit të statistikave vjetore që i kemi pranuar nga departamenti, na kanë njoftuar se ka dyshime për keqpërdorime të shumta, marrë parasysh të gjeturave ku shumë kandidat të cilët gjoja pjesën teorike e kanë kaluar në vitin 2021, në kohën kur nuk kishte e-testim ndërsa pjesën praktike në vitin 2023, dhe në fillim të muajit janar të këtij viti.
Me të pranuar informatën kemi kërkuar nga komisioni monitorues që të bëjë monitorimin e këtyre proceseve në njësitë tona. Gjatë monitorimit jemi informuar që të njejtit kanë vizituar disa njësi të ndryshme si njësinë në Prizren, Prishtinë, Gjilan dhe Pejë.
Gjatë monitorimit të këtyre qendrave kemi hasur në keqpërdorime të ndryshme, por në Njësinë e Patent Shoferëve në Pejë kemi hasur në një dukuri që në njësitë tjera nuk ka ndodhur. Ngase në ketë njësi kishte 666 kandidatë gjatë gjithë vitit 2023, që kishin kaluar provimin praktik në kategorinë B, C dhe C1. Të gjithë kandidatët pothuajse kanë qenë nga qytete të ndryshme të Kosovës, ku prin Podujeva, Malisheva, Gjilani, Drenasi, Kamenica, Fushë Kosova dhe natyrisht që është shumë e dyshimtë atëherë kur një kandidat nga Kamenica shkon në Pejë për të kaluar provimin e pjesës praktike.
Me dt.22.01.2024, Komisioni Monitorues së bashku me u.d Drejtorin e Departamentit të Patentë Shoferit dhe Shefin e Divizionit për Koordinator, kanë vizituar Njësinë e Patentë Shoferit në Pejë dhe kanë kërkuar disa dosje dhe teste të kandidatëve si dosje të dyshimta. Administrata në Njësinë e Patentë Shoferit në Pejë ka furnizuar me dosjet e kërkuara komisionin monitorues dhe nga te gjeturat e të njëjtit kanë konstatuar se në shumë dosje ka mospërputhje të dokumentacionit.