Anëtari Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Florian Dushi, ka informuar sot, KQZ-në për dorëheqjen e tij nga pozita e anëtarit të këtij institucioni për shkak të angazhimeve të reja si zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë.
Dushi ka falënderuar anëtarët dhe stafin e KQZ-së për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve në angazhimin e përbashkët për avancimin e KQZ-së.
“Së bashku ia kemi dalë që Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ta shndërrojmë në një ndër institucionet më kredibile në Republikën e Kosovës, që organizon zgjedhje të rregullta dhe demokratike, i vlerësuar kështu edhe në raportet ndërkombëtare”, tha Dushi.
Ndërsa, Daka dhe anëtarët tjerë të KQZ-së uruan, Dushin për postin e ri si dhe i ndanë mirënjohje për kontributin e dhënë gjatë këtyre viteve në KQZ.