Nisma për zgjedhjen e presidentit të vendit dramatizoi situatën politike në Kosovë ndërmjet pozitës dhe opozitës, duke rrezikuar kështu që Vjosa Osmani të mos mund të sigurojë kuorumin e nevojshëm për t’u zgjedhur presidente.
E kjo nënkupton që vendi mund të shkojë në zgjedhje.
Akoma pa u thirrur seanca për zgjedhjen e presidentit, qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti në orët e mbrëmjes me një mbledhje të qeverisë miratoi ndryshimet për ligjin për zgjedhjet, pa konsultim me partitë e tjera politike parlamentare, duke nxitur kështu reagime të ashpra të partive opozitare. Po ashtu u thirr një seancë e jashtëzakonshme për ta miratuar ligjin, por, nuk e mori numrin e mjaftueshëm të votave. Procedurat për miratimin e këtij ligji tash do të vazhdojnë në procedurë të rregullt.
Kurti: Ndryshimet mundësi vote për diasporën
Kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së qeverisë kur i miratoi ndryshimet në ligjin për zgjedhje tha se ndryshimet “janë në funksion të garantimit të drejtës së votës për të gjithë qytetarët e Kosovës”. Seanca për ndryshimin e këtij ligji, që i mundëson diasporës të votojë në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë, sipas Vetëvendosjes do të mbahet para se deputetët të votojnë për presidentin e ri të vendit.
LDK: Reformat për zgjedhje bëhen në bashkëpunim me opozitën
Lidhja Demokratike e Kosovës reagoi ashpër. Kjo parti opozitare, që një javë më parë deklaroi së do të marrë pjesë në seancën e zgjedhjes së presidentes, duket do të ndryshojë qëndrim, nëse Albin Kurti nuk e tërheq tërësisht iniciativën për miratimin e ligjit për zgjedhje. Këtë qëndrim e bëri publik në orët e vona të ditës së premte, por edhe në seancën e kuvendit, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, duke theksuar se reformat për zgjedhje në vendet demokratike bëhen bashkë me opozitën. Sipas tij kryeministri Kurti me nismën e tij për ndyshimin e ligjit për zgjedhje po shantazhon opozitën, e “kundërta e asaj që bëhet në vendet demokratike ku reformat zgjedhore bëhen bashkë me opozitën”.
“LDK është treguar konstruktive në lidhje me zgjedhjen e presidentit të vendit. Me këtë veprim që bëri sot Kurti dëshiron të krijojë destabilitet politik. Kurti tregoi se nuk ka interes për të zgjedhur Vjosa Osmanin si presidente. Prandaj i bëj thirrje Kurtit që të tërhiqet nga kjo iniciativë dhe të lejojë konstruktivitetin. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh Kurti dëshiron zgjedhje dhe krizë institucionale në vend. Pra fillimisht kërkojmë që ky Projektligj të tërhiqet. Nëse ky Ligj nuk tërhiqet atëherë Kurti e dërgon vendin në zgjedhje”, deklaroi Lumir Abdixhiku.
Reagime të ashpra pati edhe nga dy partitë e tjera opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kundërshtuan “ngutjen”, e Vetëvendosjes për ta ndryshuar ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Kryetari i partisë më të madhe opozitare PDK, Enver Hoxhaj tha kryeministri Kurti po do që vendin ta dërgojë në zgjedhje të parakohshme.
“Në vend se qeveria të merret me vaksinimin e qytetarëve, menaxhimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike, Kurti shkakton krizë politike duke rrezikuar vendin të shkojë serish në zgjedhje në kohë pandemie”, tha Enver Hoxhaj.
Shoqëria civile: Nevoja nuk arsyeton urgjencën e ndryshimit të ligjit
Edhe rrjeti i organizatave të shoqërisë civile, të cilat monitorojnë punën e kuvendit dhe zgjedhjet në Kosovë, i kërkuan qeverisë Kurti që të tërheqë iniciativën për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Sipas shoqërisë civile, në rast të dështimit të Kuvendit për të zgjedhur Presidentin dhe si rrjedhojë shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, zbatimi i ndryshimeve të propozuara do të haste në vështirësi për shkak të afateve të shkurtra për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për votim në misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës jashtë vendit.
“Ne, organizatat e shoqërisë civile, të cilat për një kohë të gjatë kemi avokuar që reforma zgjedhore të ndodhë në Kosovë, dhe në këtë drejtim kemi propozuar rekomandime të shumta për të përmirësuar procesin zgjedhor, si në aspektin e organizimit ashtu edhe të rritjes së nivelit të përfaqësimit. Përkundër nevojës që vendi të ketë reformim të legjislacionit zgjedhor, kjo nuk e arsyeton urgjencën me të cilën po tentohet të ndryshohet Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, thuhet në një komunikatë për medie.