Në Shqipëri ka filluar nga puna një njësi speciale e policisë, “Operacioni Forca e Ligjit”, e cila synon konfiskimin nga shteti të pasurive të personave të dënuar apo nën hetim për aktivitete kriminale apo terroriste.
Në përurimin e kësaj njësie të dielën, kryeministri Rama tha, se “erdhi koha të përgjigjen të gjithë ‘të fortët’ dhe ‘të paprekshmit’ e këtij vendi, për të gjitha pasuritë e tyre”, shkruan DW. Paketa ligjore e njohur si Anti KÇK (Anti Kap-ҫfarë të kapësh) dhe e miratuar nga qeveria ditët e fundit me akt normativ, përfshin edhe skanimin e pasurive të gjykatësve dhe prokurorëve, që si pasojë e korrupsionit në radhët e tyre, kanë mundësuar që persona të inkriminuar t’i shpëtojnë drejtësisë. Zbatimi i saj në praktikë fillon sot pikërisht me gjykatësit dhe prokurorët: ata brenda dy ditëve duhet të plotësojnë një formular për burimin e pasurisë së tyre.
OFL do të bashkëpunojë më Strukturën e Posaҫme Anti-Korrupsion, (SPAK) dhe do të ketë një mandat të përkohshëm, deri në fund të këtij viti. Deri më sot gjykatësit dhe prokurorët që nuk përligjin me burime të ligjshme pasuritë e tyre, vettingu i nxjerr jashtë sistemit të drejtësisë, të tjerë japin dorëheqjen pa kaluar vettingun dhe të dyja kategoritë e mësipërme nuk hetohen për pasuritë e tyre. Burime zyrtare thanë për Deutsche Wellen, se ata mund të hetohen lidhur me burimin e pasurive të papërligjura vetëm në rast se ndaj tyre bëhen denoncime apo ngrihen padi. Kjo pasi vettingu nuk është as Gjykatë e as Prokurori.
Vettingu i gjykatësve dhe prokurorëve vazhdon. Ndërkohë gjykatësit dhe prokurorët, që duke filluar nga dita e sotme, duhet që brenda 48 orëve, të plotësojnë formularët për burimin e pasurisë së tyre, janë ata që punojnë në gjykata dhe Prokurori, që ende nuk e kanë kaluar vettingun, që gëzojnë të drejtën të japin kur të duan dorëheqjen, t’i shmangen vettingut dhe të largohen pa i hyrë gjemb në këmbë, nëse kanë pasuri të paligjshme apo kanë marre vendime në favor të kriminelëve. Këtë situatë synon ta përmbysë paketa ligjore Anti KÇK. SHBA dhe BE e përshëndetën përforcimin e legjislacionit për të goditur më fort krimin e organizuar përmes sekuestrimit të pasurive të paligjshme dhe masave kufizuese ndaj personave të dënuar apo nën hetim për veprimtari kriminale.
Ambasada amerikane në Tiranë deklaroi se “SHBA mirëpresin përpjekjet e intensifikuara nga Qeveria e Shqipërisë për të parandaluar krimin e organizuar që të përdorë pasurinë e paligjshme për të minuar themelet e shtetit ligjor”. Delegacioni i BE në Shqipëri, theksoi në median sociale, se “ndjekja e parasë” është vërtetuar si një mënyrë shumë efikase për t’u përballur më konkretisht me organizatat kriminale. Ligji i posaҫëm dhe masat e reja parandaluese për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit shkojnë në këtë drejtim”.
Opozita jashtë parlamentare e quan ligjin e ri një ligj politik. Në foto kreu i saj, Lulzim Basha në një protestë, më 16 shkurt 2019
Akti normativ Anti KÇK ka 39 nene dhe fuqi vepruese deri në 31 dhjetor 2020. Ndaj tij ka zëra kritikë nga opozita dhe organizatat e të drejtave të njeriut. Opozita jashtë parlamentare e quan një ligj politik dhe antikushtetues. Sipas saj ai dhunon të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës me fuqinë e madhe që i jep Policisë së Shtetit për të sekuestruar pasuri pa vendime gjykate dhe Ministrit të Drejtësisë, në një kohë kur reforma në drejtësi, thekson opozita jashtë parlamentare synon pavarësinë e drejtësisë nga politika. Për 12 organizata të shoqërisë civile, akti normativ shkel kushtetutën. Ato kritikojnë miratimin e tij pa përfshirë në diskutim grupet e interesit.
Sipas Kushtetutës së Shqipërisë një nismë ligjore hyn në fuqi menjëherë përmes një akti normativ dhe votohet më vonë në Parlament, në kushtet e një emergjence. Sipas 12 organizatave të mësipërme nuk ka asnjë sqarim nga qeveria për një situatë të tillë emergjente.Kryeministri Rama tha të dielën, se Shqipëria është në një „kohë ekstreme, që kërkon masa ekstreme”. Rezultatet e qëndrueshme ndaj krimit të organizuar janë një nga kushtet kryesore të BE ndaj Shqipërisë për hapjen potenciale të negociatave të anëtarësimit në pranverën e sivjetme./TCH