Dy aktakuza për rastin e veteranëve

Prishtinë | 29 Nën 2019 | 16:07 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Ferizaj bën të ditur se ka ngritur dy aktakuza kundër dy personave të pandehur për shkak të veprës penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës, që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë.​

Të pandehurit R.A. dhe N. A.  gjatë muajit prill të vitit 2018 me anë të dokumenteve të falsifikuara kanë aplikuar në skemën e pensioneve dhe beneficioneve të familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe kategorive tjera të përcaktuara me ligj.

Ja njoftimi i plotë i Prokurorisë:

Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se ka ngritur dy aktakuza kundër dy personave të pandehur për shkak të veprës penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 403 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Prokuroria njofton se të pandehurit, R.A., dhe N.A., nga Ferizaj,  gjatë muajit prill 2018, kanë vënë në lajthim organin kompetent – Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për ta vërtetuar një çështje të pavërtetë kinse dy të pandehurit janë “Veteran Luftëtar të UÇK-së”, në atë mënyrë që me dokumente të falsifikuara edhe atë çertifikatën veteran luftëtar dhe vërtetimin e veteranit luftëtar, të pandehurit kanë aplikuar në skemën e pensioneve dhe beneficioneve të familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe kategorive tjera të përcaktuara me ligj, ku kanë arritur të përfitojnë pagë mujore prej 170.00 eurove secili veç e veç,  nga muaji maj 2018 deri në muajin shtator 2018, duke i shkaktuar dëme materiale të dëmtuarës -Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në shumë prej 1.020.00 euro secili veç e veç.

Me këto veprime të pandehurit R.A., dhe N.A., kanë kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 403 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës, që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë.​

Të ngjashme