Dy aktivistët e Vetëvendosjes lirohen nga paraburgimi

Prishtinë | 07 Dhj 2016 | 17:08 | Nga

Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti, dy aktivistët e Vetëvendosjes të dyshuar për terrorizëm, janë liruar nga paraburgimi dhe do të mbeten në arrest shtëpiak.

Gjykata e Apelit ka marrë vendim që ata të lirohen nga paraburgimi.

Ndërsa, Petrit Ademi është liruar më herët, me masën e paraqitjes në Polici.

Ata akuzohen për terrorizëm, bashkë edhe me aktivistët të tjerë të Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi dhe Adea Batusha. E bashkë me ta akuzohej edhe Astrit Dehari, i cili para një muaji vdiq derisa ishte në Burgun e Prizrenit.

Ata akuzohen për sulm ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, që ndodhi më 4 gusht.

Ymeri: Pushteti i kriminalizuar do të përgjigjet politikisht dhe penalisht

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, në një postim në Facebook, ka thënë se sot e kësaj dite askush nga organet shtetërore nuk dha përgjegjësi për burgosjen e këtyre aktivistëve . “E përgjegjësi kanë të gjitha në zinxhir: elementet e kriminalizuara në polici e hetuesi që e montuan rastin, prokuroria që ua mirëmbajti dhe ndihmoi këtë montim, gjykata që u bë pjesë e këtij montimi duke ua pranuar kërkesat e tyre për burgosje pa asnjë provë a dëshmi, qeveria si ekzekutiv, dhe mazhoranca, që duke ndërhyrë politikisht, e nxiti këtë montim dhe nuk lejoi asnjëherë mundësi diskutimi për këtë katandisje të organeve ekzekutive të shtetit të kapur”.

“Pushteti, e veçanërisht Kadri Veseli, ndërhyri drejtpërdrejt që ta pamundësojnë seancën e jashtëzakonshme të kërkuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! duke kërkuar nga deputetët të tërhiqen nga nënshkrimet që i patën dhënë”.

“Javës që shkoi u dorëzua dhe peticioni i mbi 23 mijë qytetarëve. Midis të tjerash aty kërkohet mbajtja e seancës plenare. Komisioni parlamentar për shqyrtimin e peticioneve as nuk planifikoi të mblidhej derisa tre deputetë të opozitës e kërkuan mbajtjen e mbledhjes”, ka shkruar Ymeri.

“Sot ky komision me gjithë kërkesat e deputetit Haskuka, vendosi që t’ia delegoj kryesisë së Kuvendit se kur ta mbajë seancën parlamentare për të shqyrtuar Peticionin ‘Drejtësi për Astritin’”.

“Pas të gjitha këtyre pengesave tash jemi në dijeni se kryetari i Kuvendit, vetë pra Kadri Veseli, do të kërkojë të mbledhë firmat, nga deputetët për një seancë të iniciuar nga ai. Kjo s’është gjë tjetër përpos një poshtërsi”.

Tanimë askush nuk as më të voglin dyshim se procedurat e stërzgjatura, shkelja e tyre pasi kalon edhe stërzgjatja, kanë vetëm një qëllim – ta heshtin kërkesën legjitime të qytetarëve për njohjen e përgjegjësisë direkte të të paktën dy ministrave, të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme, ka shtuar kreu i VV-së.

“Ky proces i montuar politikisht ka kolapsuar. Pushteti nuk do të mund ta ndalë zbardhjen e së vërtetës për rastin, e veçanërisht drejtësinë për Astritin. Këtë nuk do ta lejojmë”.

“Pushteti i kriminalizuar do të përgjigjet. Politikisht. Dhe, sipas të gjitha gjasave, penalisht”, ka përfunduar Ymeri.

Të ngjashme