“Ne nuk mund ta marrim si të mirëqenë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”
Kështu fillon komunikata zyrtare e Kryeministrit të Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Komunikata për media e Kryeministrit të Norvegjisë dallon totalisht nga ajo që e lëshoi Zyra e Kryeministrit të Kosovës dhe kjo u pa si një fshehje e asaj që u bisedua në takimin mes tyre.
Në njoftimin për media të kryeministrit të Norvegjisë u tha se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor nuk mund të merret si i mirëqenë, sepse sipas tyre ka çështje të pazgjidhura nga vitet e 90-ta.
“Ne nuk mund ta marrim si të mirëqenë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Çështjet e pazgjidhura që datojnë nga vitet 1990 mund t’i vënë sërish flakën rajonit”, tha kryeministri Støre në takimin që pati me Kurtin.
Po ashtu, Kurtit iu e bë e qartë që moslejimi i zgjedhjeve serbe në Kosovë ishte veprim zhgënjyes për kryeministrin norvegjez.
“Kjo mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet ekzistuese duhet të zbatohen dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet që ulin besimin mes tyre. Prandaj, shfrytëzova rastin gjatë takimit tonë për të shprehur zhgënjimin tim që Kosova nuk po lejonte që zgjedhjet serbe të 3 prillit të organizoheshin në të njëjtën mënyrë si zgjedhjet e mëparshme”, tha Støre.
Në anën tjetër, në komunikatën për media të Zyrës së Kryministrit të Kosovës, thuhet krejt tjetër gjë prej çka është diskutuar në takim.
Askund në komunikatën për media nuk përmendet që Kryeministri i Norvegjisë ishte i zhgënjyer për mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Gjithashtu, në këtë komunikatë nuk përmenden as fjalët që ka thënë Støre për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Në takim, gjithashtu u diskutua për rëndësinë e raporteve të mira fqinjësore ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për invazionin dhe agresionin e paprovokuar ushtarak rus në Ukrainë, të cilin e dënuan ashpër të dy kryeministrat”, thuhet në njofimin për media që dallon nga njoftimi i kryeministrit norvegjez.
Nacionale më poshtë ju sjell dy komunikatat dhe mund t’i shikoni dallimet që kanë e të cilat flasin për takimin Kurti-Støre.
Komunikata e plotë e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës:
Kryeministri Kurti e falënderoi për mikpritjen e ngrohtë dhe e uroi për detyrën e tij të re.
Norvegjia është mike dhe partnere e Kosovës dhe popullit të saj, që është dëshmuar e tillë përgjatë gjithë historisë së re të Republikës së Kosovës. Ajo ishte ndër vendet e para që njohën pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ishte ndër vendet e para që e ndihmuan Kosovën me pajisje mjekësore në ballafaqimin e saj me pandeminë. Kryeministri Kurti tha se për këtë, Kosova dhe populli i Kosovës janë thellësisht falënderues.
Kosova e sheh Norvegjinë si shembull se si mund të ndërtohet një shoqëri e drejtë dhe me prosperitet duke investuar në edukim, mirëqenie sociale dhe tash në ekonomi të gjelbër, u shpreh kryeministri Kurti. Të trija këto janë prioritete edhe të Qeverisë sonë, tha kryeministri dhe duke marrë parasysh edhe indikatorët pozitivë në ekonomi, por edhe ata në demokraci, është koha që të thellojmë bashkëpunimin dhe të rrisim lidhjet tona ekonomike, shtoi më tej kryeministri Kurti.
Kryeministri Jonas Gahr Støre i uroi Kryeministrit Kurti mirëseardhje në Norvegji, tha se është i interesuar në reformat që Qeveria e Republikës së Kosovës ka filluar të ndërmarrë dhe është i gatshëm që të rrisë bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy vendeve. Ai po ashtu shprehu interesim për propozimet konstruktive dhe progresive për Bashkëpunim Rajonal që ka bërë qeveria e Kosovës.
Në takim, gjithashtu u diskutua për rëndësinë e raporteve të mira fqinjësore ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për invazionin dhe agresionin e paprovokuar ushtarak rus në Ukrainë, të cilin e dënuan ashpër të dy kryeministrat.
Komunikata e plotë e kryeministrit të Norvegjisë:
“Ne nuk mund ta marrim si të mirëqenë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”
Kryeministri Jonas Gahr Støre është takuar sot në Oslo me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Diskutimet mes dy kryeministrave u fokusuan në mbështetjen e Norvegjisë për Kosovën dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata gjithashtu diskutuan se si të forcohet bashkëpunimi në zhvillimin ekonomik dhe social.
“Ne nuk mund ta marrim si të mirëqenë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Çështjet e pazgjidhura që datojnë nga vitet 1990 mund t’i vënë sërish flakën rajonit”, tha kryeministri Støre.
Norvegjia e njohu Kosovën më 28 mars 2008, vetëm një muaj pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia. Ka ende një sërë shtetesh që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur.
“Kjo mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet ekzistuese duhet të zbatohen dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet që ulin besimin mes tyre. Prandaj, shfrytëzova rastin gjatë takimit tonë për të shprehur zhgënjimin tim që Kosova nuk po lejonte që zgjedhjet serbe të 3 prillit të organizoheshin në të njëjtën mënyrë si zgjedhjet e mëparshme”, tha z. Støre.
Kryeministri Kurti është takuar edhe me ministren e Punëve të Jashtme Anniken Huitfeldt gjatë vizitës së tij në Oslo. Ata diskutuan marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Norvegjisë dhe Kosovës, situatën e politikës së sigurisë në Evropë dhe dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndryshe, zgjedhjet serbe të 3 prillit e kanë përplasur Kosovën me shtetet e QUINT-it në mënyrë direkte. Madje, përplasjen në fjalë e kishte pranuar edhe kryeministri Kurti që kishte thënë se “deklarimi i tyre ishte shumë i ashpër”.