Dy kosovarë dënohen për mashtrim, ia kishin marrë priftit mbi 300 mijë franga

Prishtinë | 03 Dhj 2024 | 20:05 | Nga Ekonomia Online

Dy kosovarë janë shpallur fajtorë për mashtrim nga Gjykata Penale e Luzernit.

Ata e kishin mashtruar një prift duke ia marrë mbi 300 mijë franga.

I akuzuari i parë, një burrë 38 vjeçar u dënua me 20 muaj burgim efektiv, pasi thuhet se “pensionisti invalidor”, në periudhën 2014 -2018-të ia kishte marrë priftit “hua” 150 mijë franga.

Si shkak i varësisë nga bixhozi, sipas vendimit të shpallur nga Gjykata e Luzenit ai duhet t’i nënshtrohet edhe trajtimit ambulator.

Edhe i akuzuari tjetër, po ashtu nga Kosova raportohet se kishte borxhe të mëdha.

Ai u dënua me 27 muaj burgim me kusht.

Siç raportojnë mediat zvicerane, i njëjti kishte marrë “hua” nga prifti 20 herë, një vlerë totale prej 165 mijë frangash.

Gazeta “Zofinger Tagblatt”, në një artikull thekson se këta mashtrues e kishin vënë nën presion priftin me rrëfimet e tyre.

“Pensionisti invalidor”, ishte ankuar rreth borxheve të mëdha që kishte dhe se kërcënohej me burgim.

Arsyeja e huazimeve ishte se atij, i duheshin para për të vizituar të afërmit e sëmurë në Kosovë.

Derisa burri tjetër nga Kosova, raportohet se i kishte kërkuar priftit para për ta nisur biznesin e ri të suvatimit.

Aktgjykimi i Gjykatës së Luzernit, nuk është i formës së prerë dhe se palët kanë të drejtë ankese.

Të ngjashme