Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës është deklaruar pas raportimeve se dy kosovarë janë arrestuar në Serbi.
Në një përgjigje zyrtare për Paparacin, nga MPJD thonë se i kanë dërguar kërkesë Qeverisë së Serbisë për të marrë detaje mbi këtë rast, përfshirë identitetin e personave të arrestuar dhe lokacionin ku ata janë duke u mbajtur.
Deri më tani, kjo ministri nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
“Në lidhje me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi i ka dërguar tashmë Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, një kërkesë formale për ta konfirmuar rastin, si dhe për të ofruar detajet tjera relevante, përfshirë identitetin e personave të arrestuar dhe lokacionin ku ata janë duke u mbajtur”, thonë nga MPJD për Paparacin.
Lidhur me këtë, janë njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Beograd.
Tutje, nga kjo ministri konfirmojnë se në momentin e konfirmimit, diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi do të bëjnë kërkesë zyrtare për vizitën e tyre në qendrën e paraburgimit ku ata janë duke u mbajtur.
Siç u raportua të martën në media, Rexhep Hoti dhe Gyven Azemi dyshohet se u arrestuan në territorin serb gjatë kohës sa po prenin dru.
Po ashtu u raportua se ndaj tyre, autoritetet serbe e kanë caktuar masën e ndalimit prej 30 ditësh.