Qendra e Studentëve që shërben si karantinë për të riatdhesuarit në Kosovë, momentalisht ka 85 qytetarë që po qëndrojnë të karantinuar.
Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta i tha Gazetës Express se deri më tani rreth 2 mijë studentë kanë tërhequr gjësendet e tyre që nga 18 maji. Ai shtoi se edhe 2 mijë studentë të tjerë pritet që të marrin gjërat e tyre nga konviktet deri pasnesër kur edhe është afati i fundit për tërheqje.
Qeveria e Kosovës nga 18 marsi ka marrë vendim që Qendra e Studentëve të shërbejë si hapësirë karantine pas rastit të parë të shënuar në Kosovë me Covid-19 me datë 13 mars 2020. Që nga ajo datë 4 konvikte kanë qenë me të karantinuar.
Drejtori i QS’së tha se në këtë qendër janë momentalisht 85 qyetarë të karantinuar.
“Momentalisht numri qytetarëve të karantinuar në QS është 85”, tha Sfishta.
Sa i përket qyetarëve të Kosovës që sot pritet të arrijnë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Sfishta u shpreh se ata do të karantinohen nëse për këtë vendosë Ministria e Shëndetësisë.
“Ne e akomodojmë cdo person për të cilin vendosin MSH-ja dhe ekipet mjekësore që duhet të karantinohet”, u shpreh ai.
Nga data 18 maj deri më 23 maj, studentët banues të konvikteve do të kenë mundësinë t’i tërheqin gjësendet e tyre nga konviktet të cilat janë bosh dhe nuk ka të karantinuar.
Drejtori i Qendrës së Studentëve, tha se tërheqja e gjërvae është në proces dhe deri më tani rreth 2 mijë studentë kanë tërhequr gjërat e tyre dhe po aq pritet ta bëjnë këtë ditëve në vazhdim.
“Tërheqja e gjërave nga ana e studentëve është në proces, deri me tani i kanë tërhequr gjërat e tyre rreth 2000 studentë. Ndërkaq edhe 2000 mijë studentë tjerë pritet t’i tërheqin gjësendet e tyre”, tha ai.
Disa studentë janë ankuar për gjësendet e tyre personale se u janë vjedhur në konvikte, e për këtë Sfishta tha se janë duke u koordinuar me policinë për të hulumtuar gjetjen e provave dhe fakteve për këtë.
“Qendra e Studentëve në bashkëpunim dhe koordinim me policinë e Kosovës është duke trajtuar të gjitha ankesat e paraqitura nga studentët banues në konvikte për gjësendet personale të tyre të cilët pretendojnë se i’u mungojnë dhe gjëra që i’u janë dëmtuar.
Qendra e Studentëve së bashku me zyrtarët policor të Kosovës janë duke hulumtuar në gjetjen e provave dhe fakteve për zbardhjen e ankesave të cilat janë parashtruar nga ana e studentëve”, tha Sfishta.
Ai shtoi se nuk ka ndonjë plan konkret që gjësendet e humbura të kompenzohen.
“Ende nuk është vendosur se si do të veprohet rreth kompensimit”, u shpreh ai.