Mesnatën e 9 nëntorit të vitit të kaluar, në rrugën “Rinia” në Prishtinë, një përleshje fizike kishte eskaluar deri te përdorimi i armëve të zjarrit. Katër persona mbetën të plagosur, ndërsa nëntë të dyshuar arritën të ikin nga vendi i ngjarjes. Dy muaj pas këtij rasti, policia ende nuk ka arritur t’i arrestojë të gjithë të dyshuarit e përfshirë, ndërkaq me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë liruar edhe pesë të dyshuarit që ishin arrestuar.
E tërë ngjarja kishte filluar me një përleshje me grushte, ku më pas ishin përdorur edhe armët e zjarrit. Një nga të dyshuarit kishte shtënë në drejtim të sigurimit, duke i goditur ata me armë zjarri në këmbë.
Si pasojë e plumbave, katër persona mbetën të plagosur dhe kërkuan ndihmë mjekësore.
Hetuesit policorë kishin arritur t’i identifikonin nëntë persona të dyshuar.
Policia e Kosovës ka thënë se deri më tani janë arrestuar vetëm 5 persona të dyshuar.
E të arrestuarit janë liruar në procedurë të rregullt, me urdhër të prokurorit të shtetit.
“Në lidhje me rastin “Vrasje në Tentative” i cili ka ndodhur me 09.11.2019 , ju njoftojmë se për rastin janë arrestuar pesë (5) te dyshuar nga policia. Më pas me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në përgjigjen e policisë, shkruan Express.
Zyra për Informim e Policisë së Kosovës po ashtu ka thënë se në kërkim policor janë edhe dy të dyshuar, të cilëve iu është lëshuar urdhër arrest nga Gjykata.
Njëri nga të dyshuarit i cili është në kërkim policor është edhe Astrit Mehmeti, i njohur me emrin “Llepota”.
“Ndërsa, në kërkim policor janë edhe dy të dyshuar të tjerë përfshirë personin e apostrofuar, ndaj të cilëve është lëshuar urdhër arrest nga gjykata kompetente. Janë duke u kryer hetime intensive, përfshirë mbledhjen e informatave në lidhje me lokalizimin e këtyre dy të dyshuarve”, theksohet në përgjigjen e policisë.
Para një muaji, Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se arrestimi i Astrit Mehmetit i njohur me nofkën “Llepota” është çështje orësh.
Sipas Qalajt, Mehmeti do të arrestohet në momentin kur ta kuptojnë vendndodhjen e tij.
“Në momentin e parë që kemi informacion ku është Astrit Mehmeti, do ta arrestojmë. Jemi duke punuar, besoj që do të arrestohet shumë shpejt. Është çështje e hetimeve dhe verifikimit të vendndodhjes, në momentin e parë që merret vesh vendndodhja e tij, nuk ka person që është i paprekshëm, është çështje orësh ose ditësh kur do të arrestohet”, kishte thënë Qalaj.
Mësohet se policia kishte marrë një informatë për vendndodhjen e “Llepotës”, por që kur kishin shkuar për ta kërkuar, ai nuk ndodhej aty.
Kujtojmë se mesnatën e 9 nëntorit, policia në vendngjarje ka sekuestruar tri armë zjarri të cilat dyshohet të jenë përdorur në këtë rast, i cili në polici është iniciuar si “Vrasje në Tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
E në momentin e gjuajtjes me armë zjarri, prezentë ishin edhe dy zyrtarë policorë. Ata dyshohet se nuk kishin ndërmarrë asgjë në këtë rast dhe kishin ikur nga vendi i ngjarjes.
Për këtë, Inspektorati Policor i Kosovës i ka suspenduar nga puna I.H dhe G.P, zyrtarë policorë të Njësive të Specializuara (NJSO – Njësiti Special Operativ).
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve lidhur me incidentin që ka ndodhur më 09.11.2019 në diskotekën Duplex në Prishtinë, ka kërkuar informacione nga Policia Kosovës lidhur me veprimet/reagimet apo mos veprimet eventuale nga zyrtarët policorë që janë ndodhur afër vendit të ngjarjes sipas detyrës zyrtare apo edhe jashtë detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen/komunikatën e IPK’së.
Të dyshuarit po hetohen nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 I Kodit Penal të Republikës së Kosovës.