Do të jetë një fund e fillim javë për t’u mbajtur mend.
Nga
sonte e deri të hënën, Kosova do të jetojë me futbollin, si rrallëherë më parë.
Përfaqësuesja A e shtetit të ri do të zhvillojë dy ndeshje të një rëndësie
unike.
Këtë mbrëmje, nga ora 19, Milot Rashica me shokë luajnë një miqësore, e cila edhe mund të quhet e luksit, kundër Danimarkës. Kjo, është përfaqësuesja më e fortë me të cilën ndeshet Kosova, prejse u pranua në UEFA e FIFA, 3 vjet më parë. Danezët kishin fituar kampionatin Evropian të vitit 1992.
Ethet vazhdojnë përgjatë krejt fundjavës, për t’u “acaruar” edhe më, të hënën, në premierën e madhe të Kosovës për kualifikimet direkte në një kampionat të madh, Evropianin 2020.
Pa
Fadil Vokrrin si lider të padiskutueshëm, por në “Fadil Vokrri” si stadium
simpatik, përfaqësuesja e 55-të e UEFA-së pret Bullgarinë, në të parën ndeshje
zyrtare për EURO 2020.
Pritjet janë të mëdha, për këto dy lojë.
Kosova nuk ka pësuar asnjë humbje, qysh prej vitit të “largët” 2017, njofton Klan Kosova.
Fushatën për Ligën e Kombeve e përfundoi në mënyrë të përsosur, si e para në grupin e saj, vetëm me fitore e barazime, duke avancuar kështu nga niveli D, në atë C, ku garojnë përfaqësuese më të avancuara.
“Liga
e Kombeve ishte një hap i madh përpara për ne. Falë rezultateve tona, ne do të
kemi dy mundësi për t’u kualifikuar në EURO 2020, që është objektivi ynë
tjetër”, ka thënë nënkryetari i FFK-së, Predrag Joviq, në një intervistë për
edicionin 183 të revistës UEFA Direct.
Ndeshjen e parë, ndërkombëtarisht të pranuar, Kosova e zhvilloi me Haitin, një
miqësore kjo që u luajt më 5 mars 2014 në “Adem Jashari” të Mitrovicës.
Atëherë, simbolet e shtetit nuk u lejuan në stadium.
Tashti nuk i ndal kush. “Fadil Vokrri” bardhekaltër do të bëhet pritet të ngjyroset verdheblu, në këto dy net të papara të futbollit kosovar.