Pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës, për të shprehur pakënaqësinë me vendimin për zvogëlimin e shtesave të rrezikshmërisë, raporton Ekonomia Online.
Elitarët e Policisë kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të reflektojë dhe të takohen për të diskutuar për realizimin e kërkesave të tyre.
Përfaqësuesi i tyre para mediave tha se kërkesat e tyre janë legjitime dhe sociale. Këto dy njësite elitare të Policisë thanë se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave, teksa kërkuan që të mos luhet me dinjitetin e tyre.
“Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive sot jemi mbledhur para Qeverisë për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësitë tona në lidhje me kategorizimin e rrezikshmërisë në punë, sidomos për shtesat e parapara me ligj. Këto dy njësi janë të trajnuara dhe të përgatitura me standardet më të larta ndërkombëtare, janë të specializuar dhe certifikuar në luftën kundër terrorizmit, lirimin e pengjeve, si dhe rastet ku cenohet siguria kombëtare, gjithashtu edhe intervenime ku rrezikshmëria vlerësohet të jetë ekstreme. Prandaj jemi njësi elite të Policisë së Kosovës. Këto dy njësi janë të trajnuar nga akademitë dhe njësitë më prestigjioze në botë”, tha njëri nga përfaqësuesit, para gazetarëve.
“Jemi të përgatitur dhe të barabarta me njësi elite të botës e një gjë të tillë e dëshmon pjesëmarrja dhe suksesi në shumë operacione policore e gara ndërkombëtare, duke sjellë edhe medalje për Kosovën. Këto dy njësi gjithmonë kanë dëshmuar profesionalizëm të lartë duke realizuar operacione, sidomos në pjesën më të ndjeshme të vendit duke mbrojtur integritetin dhe sovranitetin shtetëror. Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka më shumë se 10 vite që kemi marrë premtime për benifite të cilat na takojnë, por asnjëherë nuk janë realizuar. Fillimisht arsyet e mospërmbushjes së kërkesave tona ka qenë mungesa e ligjit të pagave”.
“Përkundrazi ka pasur edhe ulje në kategorizimin e rrezikshmërisë, madje shtesa e veçantë të cilën e kemi gëzuar nga viti 2010 u ndalua e tëra. Ne jemi unikë në në kërkesat tona sepse janë kërkesa legjitime dhe të nevojë urgjente. Nuk do të zmbrapsemi deri në realizimin e tyre. Ftojmë kryeministrin dhe Qeverinë të ndërmarrin hapa konkretë në realizimin e tyre. Ju i nderuar kryeministër i dini shumë mirë rreziqet dhe kërcënimet që operatorët e këtyre njësive i bartin gjatë gjithë kohës, jo vetëm gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, por edhe në jetën private. Prandaj mos luani me dinjitetin tonë, me jetën e familjeve tona. Ne kemi dëshmuar vetën në shumë raste të kaluar dhe së fundmi në neutralizimin e grupit terrorist më 24 shtator. Kërkojmë që propozimin e dhënë për shtesat e rrezikshmërisë ta rishikoni dhe të pranoni kërkesat tona dhe presim që së shpejti të takohemi dhe t’i zgjidhim së bashku. Kërkesat tona janë: Kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve. Rrezikshmëria të caktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës”.
Sipas propozimit të Qeverisë, lartësia e shtesave do të jetë e ndryshme për 7 kategori, dhe do të sillen nga 45 deri në 150 euro.
Shtatë kategori të pozitave në këtë institucion pritet që me pagat e nëntorit t’i marrin edhe shtesat, të cilat sillen nga 45 deri në 150 euro dhe që pritet të merren në mënyrë retroaktive edhe për muajt që nga miratimi i Ligjit të pagave.
Sipas propozimit, pjesëtarët e njësive elitare (Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të afërt) do t’i marrin nga 150 euro shtesë në pagën bazë.