Dy pacientë në gjendje të rëndë, një tjetër pritet të lirohet sot nga Klinika Infektive

Prishtinë | 02 Maj 2020 | 12:45 | Nga Ekonomia Online

Në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 36 pacientë me COVID-19, ku njëri nga ta pritet të lirohet sot pasi që ka rezultuar negativ në të dy testet dhe konsiderohet i shëruar.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, doktor Gëzim Morina.

Morina shtoi se gjashtë pacientë janë me oksigjenoterapi, ku katër prej tyre janë në gjendje stabile por kanë nevojë herë pas here për oksigjen, ndërkaq dy pacientë janë në gjendje të rëndë.

“Të dy pacientët në gjendje të rëndë kanë edhe sëmundje të tjera përcjellëse. Janë me hemodializë të rregullt, kanë probleme me diabet dhe zemër. Të dy pacientët janë mbi moshën 75 vjeç”, ka thënë Morina.

Doktori ka shtuar se nga të dy pacientët me gjendje të rëndë, njëra është në mjekim intensiv me frymëmarrje të asocume, por pavarësisht kësaj parametrat tek te dy pacientët janë në gjendje të rëndë.

“Te pacientja në mjekim intensiv po presim që sot të bëhet dializa ndërkaq pacienti tjetër dje është futur në dializë, për momentin janë stabil por gjendja e tyre mbetet e rëndë”, ka thënë Morina.

Ai ka shtuar se edhe katër pacientë janë në pritje të rezultateve, ndërkaq brenda stafit mjekësor nuk ka të infektuar. 

Të ngjashme