Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda (DKR), ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve H.F., nga Komuna e Skenderajt, dhe ndaj të pandehurit A.F., nga Komuna Mitrovicës, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale kontrabandim me migrantë.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake e DKR – Raima Elezi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurve do tu llogaritet prej datës 09.11.2020 deri me datën 08.12.2020”, thuhet në komunikatën e gjykatës.
Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen nga ana e Prokurorisë së Shtetit, po ashtu janë përmbushur kushte për caktimin e paraburgimit të përcaktuar me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes, qëllimin e të pandehurve H.F., dhe A.F., për përfitim të dobisë pasurore për vete, duke ia mundësuar hyrjen e paligjshme në Republikën e Kosovës 3 (tre) shtetasve Sirian, dhe faktin se të pandehurit janë kapur në flagrancë duke i transportuar me dy vetura viktimat e rastit, për Gjykatën vërtetojnë deri më tani dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale të lartcekur.
Andaj caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë sipas Gjykatës Themelore të Prizrenit është i bazuar në ligj dhe i arsyeshëm dhe se do të siguroi zhvillimin e papenguar të rrjedhës së procedurës hetimore dhe sigurimin e prezencës së të pandehurit, duke veçuar faktin se në këtë periudhë numri i këtyre veprave panel ka shënuar rritje.
Gjykata Themelore në Prizren ka vlerësuar edhe masa tjera për sigurinë e pranisë së të pandehurve në procedurë penale, mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për sigurimin e të pandehurve në procedurën penale, parandalimin e dëmtimit të provave dhe përsëritjes edhe të veprave tjera penale të kësaj natyre.