Dy persona shoqërohen në polici për sulmin ndaj Sllobodan Petroviq

Prishtinë | 20 Mar 2019 | 13:10 | Nga Ekonomia Online

Rreth orës 10:30 të ditës së sotme, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq, është sulmuar sot nga dy persona, në afërsi të objektit të Kuvendit të Kosovës në një restorant.

Rreth këtij rasti, detaje për Ekonomia Online, ka dhënë Zëdhënësja e Policisë së Kosovës Flora Ahmeti.

Sipas policisë në stacionin policor janë shoqëruar dy persona të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në përleshjen para Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Në orën 10:30 kemi marrë informatën për nje mosmarrëveshje në rrugën “Fazli Grajqevci” në Prishtinë. Për këtë rast në polici janë shoqëruar dy persona. Policia dhe prokurori i rastit po punojnë për këtë rast”, sqarojnë nga policia e Kosovës.

Petroviq kishte paralajmëruar që sot do të mbante një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës.

Kjo përplasje ka ardhur pas një komunikate të ashpër që Lista Serbe kishte lëshuar para pak ditësh kundër Petroviqit, duke e cilësuar si njeri që po punon kundër interesit të Serbisë, pasi ky kishte votuar Platformën e Prishtinës për Dialogun e Brukselit.

Ekonomia Online do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin.

Të ngjashme