Dy zyrtarë policorë janë lënduar dhe 21 tifozë janë arrestuar pas përleshjes që ndodhi mes tifozëve të Llapit dhe atyre të Ballkanit në Podujevë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Shoqërohen në stacion policor 21 persona të përfshirë në një incident të ndodhur në Podujevë”, ka thënë Ahmeti për Albanian Post.
“Me datën 12.03.2023, rreth orës 15:00, në Podujevë, pas një ndeshje futbolli, tifozët e ekipeve janë përleshur duke përdorë/gjuajtur mjete të forta”.
“Si pasojë e përleshjes deri tani është raportuar se janë lënduar 2 zyrtarë policor, të cilët ishin në detyrë, të angazhuar për menaxhimin e situatës. Ndërsa nga ana e tifozëve, deri tani është raportuar për tre të lënduar”.
“Bazuar në të dhënat fillestare, ngjarja ka filluar në stadium, ku janë shkaktuar dëme materiale, (dëmtim i ulëseve), më pas ka vazhduar në rrugët ‘Besnik Restelica’ dhe ‘Zahir Pajaziti’, ku janë dëmtuar tri vetura dhe një autobus”, thuhet mes tjerash.
Pra, përleshja filloi sa ishte duke u zhvilluar ndeshja, ku tifozët e Ballkanit filluan t’i shkatërronin ulëset në stadium dhe t’i hidhnin edhe në rrugë.
Pas mbylljes së ndeshjes, policia nuk i lejoi të dilnin ata nga stadiumi, para se tifozët vendas ta lironin atë.
Por, pasi dolën edhe tifozët nga Suhareka në qytet, aty filloi përjeshja mes tyre.
Ndërkohë, kujtojmë që ndeshjen e fitoi Llapi me rezultat 3:2.