Ministri i Infrastrukturës i Kosovës, Liburn Aliu, ka thënë sot se nënshkrimi i memorandumit për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, është e një rëndësie të madhe.
Ai në mbledhjen e Qeverisë së Shqipërisë me atë të Kosovës, që po mbahet në Elbasan, tha se kjo linjë do të bëjë lidhjen ekonomike në mes të dy vendeve.
“Memorandumin që do të nënshkruajmë sot e që ka të bëj me ndërtimin e linjës hekurudhore që lidh Durrësin me Prishtinën. Përpos që kjo linjë hekurudhore do të plotësojë një ëndërr në kuptimin historik të shqiptarëve, kjo do të bëjë një punë të rëndësishme drejt bashkimit ekonomik të dy vendeve dhe zhvillimit ekonomik të dy vendeve, për shkak se ndërlidh portin e Durrësit, që synon të zhvillohet në një port të transportit të mallrave, me Prishtinën e përmes kësaj linje ky port do të ketë komunikimin e drejtpërdrejtë me korridorin dhjetë përmes linjave që lidhin Prishtinën me Nishin, pastaj Sofjen e Stambollin tutje drejt Azi dhe në veri përmes Leshakut me Beogradin e Sofjen më tej”, ka thënë ai.
Ndërkaq homologia e tij, Mirlinda Ballaku tha se vendet synojnë që përmes hekurudhave të lidhen me korridore në Ballkan por edhe në Evropë.
“Duke qenë se të dyja Qeveritë janë angazhuar konkretisht dhe financiarisht me buxhetin e tyre të vitit 2022 për të alokuar fonde për sa i përket studimit të fizibilitetit për ngritjen në të ardhëm të hekurudhës nga Durrësi në Prishtinë. Ne synojmë sot që të bëhemi pjesë e korridoreve brenda Ballkanit dhe me Evropian dhe padyshim që hekurudhat janë mënyra e transportit më efiçente dhe më miqësore ndaj ambientit”, ka thënë Ballaku.