Dragashi deri mbrëmjen e 24 prillit ka qenë një ndër komunat e pakta në Kosovë që nuk ka pasur asnjë të infektuar me COVID-19.
Megjithatë një gjendje të tillë e ka ndryshuar rezultati zyrtar i Institutit të Shëndetit Publik që dje ka nxjerrë dy persona të cilët janë nga Komuna e Dragashit dhe që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
Nga dy të infektuarit, njëri është infermier në Spitalin e Prizrenit në repartin e Dializës derisa personi tjetër i infektuar është pacient poashtu në repartin e Dializës.
Kreu i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, ka thënë se e kanë aktivizuar Shtabin Emergjent dhe se e kanë vendosur gjendjen nën kontroll.
Shabani ka thënë se kanë rënë në kontakt me familjarët dhe u kanë kërkuar që të qëndrojnë në vetëizolim.
“Sot kemi një takim të Shtabit Emergjent. Gjurmimet do të presim që të vijnë nga Instituti. Me familjarët kemi kontaktaur dhe u kemi kërkuar që të jenë në vetëizolim”, ka thënë Shabani për Gazetën Express.
Ai tutje ka thënë se janë duke pritur rekomandimet e IKShPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë se si do të procedojnë tutje, meqenëse janë vetëm dy raste.
Përveç kësaj Shabani ka thënë se për personin që ka rezultuar pozitiv e që është pëciente me dializë janë duke shikuar se si t’i dalin në ndihmë meqë ka nevoja më specifike.
Kreu i Komunës ka thënë se kanë rënë në kontakt edhe me udhëheqësit e fshatrave për të menagjuar situatën dhe për t’iu vënë në ndihmë për çfarë të kenë nevojë.
Mbrëmë IKShPK ka njoftuar se janë konfirmuar 34 raste të reja me COVID-19, përfshirë edhe dy rastet nga Komuna e Dragashit, njëri nga fshati Zaplluxhe dhe tjetri nga fshati Pllavë, derisa të shëruar kanë rezultuar vetëm 3.
Deri tani në Kosovë janë 703 raste me COVID-19, 162 janë të shëruar derisa të vdekur 19 persona.