Sot janë regjistruar edhe dy raste të reja aktive me COVID-19 në Komunën e Malishevës. Këto të dhëna janë konfirmuar në komunikimin zyrtar të Komunës së Malishevës, me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Rastet e reja të regjistruara janë nga fshatrat Carrallukë dhe Kërvasari.
Gjendja aktuale me COVID-19 në Komunën e Malishevës, është kjo: Nga data 14 mars, e deri më sot, janë regjistruar 186 raste të prekur me COVID-19, prej tyre 143 janë shëruar, aktiv janë 27 raste, ndërsa 16 persona kanë vdekur.
Shtabi Komunal Emergjent në Malishevë, kërkon nga institucionet përgjegjëse, duke filluar nga Kryeministri i vendit, Ministria e Shëndetësisë dhe të gjitha organet tjera përgjegjëse, që ta rishikojnë vendimin për trajtimin shëndetësor të personave me COVID-19, në spitalet rajonale, sepse nga fillimi i trajtimit të rasteve në spitale rajonale, është rritur në shkallë të lartë vdekshmëria e personave të prekur me virusin korona.
“Rritja e numrit të të vdekurve është shqetësuese dhe kjo situatë është krijuar pasi ka filluar trajtimi i të prekurve në spitalet rajonale. Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse, që të shqyrtojnë këtë situatë të krijuar dhe të marrin masat e nevojshme në trajtimin e pacientëve në spitalet rajonale dhe ti shtojnë kapacitetet për trajtimin e pacienteve me COVID-19 në këto spitale, pasi numri i të vdekurve është rritur shumë dhe kjo është shqetësuese. Po ashtu shqetësuese është vonesa në konfirmimin e rasteve për të prekurit, e sidomos për rastet e vdekjeve, prandaj, kërkojmë nga të gjitha organet përgjegjëse, që të rritet niveli i përgjegjësisë, i menaxhimit të situatës dhe i trajtimit të rasteve me COVID-19.”, ka thënë nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.