Dy shtetas të huaj kanë mbetur të lënduar sot rreth orës 10:00 në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, si pasojë e një sulmi me mjet të mprehtë, raporton Ekonomia Online.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
“Sot rreth orës 10:00, kemi marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në rrugën ‘Fehmi Agani’ në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast (me mjet të mprehtë) dyshohet të jenë lënduar dy persona (shtetas të huaj), të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Ahmeti, për Ekonomia Online.
Autoritetet po punojnë për të identifikuar të dyshuarit dhe për të përcaktuar motivin e sulmit.