Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka bërë të ditur se ka ndërmarrë veprime hetimore me autorizim të Prokurorit të Shtetit lidhur me dyshimet për keqpërdorime në një institucion bankar, ku një menaxher dhe një analist bankar dyshohet se kanë tejkaluar autorizimet ligjore dhe kanë kryer transaksione të kundërligjshme në vlerë prej 24 mijë eurosh.
Sipas komunikatës, i dyshuari i parë, në cilësinë e menaxherit bankar, dyshohet se ka urdhëruar në mënyrë të kundërligjshme ekzekutimin e një transferi parash në dy llogari biznesesh, duke e autorizuar edhe të dyshuarin e dytë për realizimin e transaksionit.
“Policia e Kosovës me njësitë e saj nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka kryer veprime hetimore me autorizim të Prokurorit të Shtetit, mbi dyshimet se i dyshuari nr.1 m/k në cilësinë e menaxherit bankar ka tejkaluar autorizimet ligjore, duke liruar mjetet në vlerë prej njëzet e katër mijë (24.000,00) euro, ashtu që ka urdhëruar kundërligjshëm të dyshuarin nr.2 m/k që të kryej transaksionin e të hollave në llogari të dy bizneseve”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatë theksohet se i dyshuari i dytë, në cilësinë e analistit bankar, ka ekzekutuar urdhrin verbal të menaxherit dhe ka realizuar transferimin e mjeteve financiare.
“I dyshuari i dytë analist bankarë, ka ekzekutuar urdhrin verbal të menaxherit të kësaj banke duke transferuar njëzet e katër mijë (24.000,00) euro nga llogaria e të dëmtuarës (të cilën paraprakisht e kishin ngarkuar me kredi prej 25 mijë euro pa dijeninë e saj), nga dymbëdhjetë mijë (12.000,00) euro për secilin biznes”, thuhet më tej.
Policia sqaron se më pas kredia e dyshuar është ngarkuar me procedurë përmbarimore, ndërsa rasti është kallëzuar në Prokurori nga vetë banka, pa ofruar prova për realizimin e kredisë në emër të viktimës.
“Të dyshuarit e lartë cekur, me veprimet e tyre të dëmtuarës i kanë shkaktuar dëm duke e ngarkuar me kredi fiktive, përfshirë edhe përmbarimin pa dijeninë e saj”, thuhet në komunikatë.
Sipas policisë, të dyshuarit janë intervistuar në prani të mbrojtësve dhe me vendim të Prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet do të vazhdojnë në aspektin financiar për zbardhjen e plotë të rastit.