Dy të dyshuarit për vrasjen e policit Lika duken të rinj, me kapela, u larguan këmbë nga vendi i ngjarjes

Prishtinë | 02 Pri 2025 | 15:16 | Nga Gzim Mujaj

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, tha se nga materialet që kanë siguruar nga mbledhja e fakteve, e kanë vërejtur se dy persona që duken të rinj, janë larguar nga vendi i ngjarjes në këmbë dhe kanë pasur kapela, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja 9.19 milimetra, ndërsa sipas asaj që shihet mund të ketë qenë vrasje e planifikuar.

“Rreshteri Lika njihet se një person profesional dhe nuk kemi ndonjë indikacion që ai gjatë punës së tij si zyrtar policor të ketë pasur ndonjë problem me procedurat që i ka zhvilluar në procedura penale apo ndonjë problem personal. Nuk kemi informacione se cili ka qenë shkaku. Është përdorur arma e zjarrit. Janë gjetur katër gëzhoja 9.19 milimetra. Nuk na rezulton që ka pasur shkrepje me armë nga arma zyrtare e policisë së Kosovës. Nuk kanë përdorur maska, kanë përdorur kapela. Sipas asaj që shihet kjo vrasje mund të ketë qenë e planifikuar”, tha kryeprokurori Çerkini.

Ndërsa, prokurori i çështjes, Ismet Rrahmani, tha se viktima në vendin e ngjarjes ka marr vetëm një goditje në trup.

“Viktima ka marrë vetëm një goditje. Goditja ka qenë tejshpuese. Realisht, nuk ka pasur të veshur anti-plumb”, tha prokurori Rahmani./Ekonomia Online/

Të ngjashme