Policia skoceze ka njoftuar se dy alpinistë kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë lënduar pasi janë zënë nga një ortek në malet “Ben Nevis” të Skocisë.
Incidenti ndodhi të martën në zonën më të lartë mbidetare të Britanisë së Madhe, të quajtur “No 5 Gully” pak minuta para mesditës. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë ekipet e shpëtimit.
Një helikopter është lëshuar afër zonës sepse lëshimi në vendin e saktë ka qenë i pamundur për shkak të kushteve të liga të motit.
Ministrja skoceze, Nicola Sturgeon, ka shprehur ngushëllime për viktimat e këtij incidenti. “Ky është lajm absolutisht tragjik. Lutjet e mia janë për të afërmit e viktimave dhe të lënduarit. Jam mirënjohëse për punën e shërbimeve të emergjencës”, shkroi ajo në Twitter, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.